75 Mall Live Search
20:08 / E Diele, 09 Nëntor 2025 / S Z

KQZ: Rezultatet preliminare do të publikohen brenda orës

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi në një konferencë për media pas përfundimit të procesit të votimit në 18 komuna të vendit që kanë qenë në balotazh, ka thënë se brenda orës do të publikohen rezultatet preliminare.

“Besoj që brenda orës do të dalim me një konferencë të re ku do t’i publikojmë rezultatet preliminare. Rreth orës 21:00 por presim edhe pak”, ka thënë Radoniqi në lidhje me orën kur mund të publikohen rezultatet preliminare.

Ai ka thënë se kanë marrë pjesë në votim 32,73% të qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna, ndërsa në raundin e parë në këto 18 komuna kanë votuar 38,91% apo 512 mijë e 160 votues nga 1 milionë e 316 mijë e 129 votues.

“Aktualisht në vendvotime është duke u bërë numërimi i fletëvotimeve, dhe në disa prej tyre ka përfunduar procesi dhe në platformën e KQZ-së do të filloj publikimi i rezultateve. Numër një është një hap kyç në përmbylljen e ditës së zgjedhjeve, u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të këshilleve të vendvotimeve të respektojnë në përpikmëri të gjitha rregullat zgjedhore ashtu që vullneti i qytetarëve të mbrohet plotësisht”, ka thënë Radoniqi.

Ai ka thënë se nga ora 19:00 ka filluar afati 48 orësh për paraqitjen e ankesave në PZAP lidhur me procesin e votimit të sotëm.