75 Mall Live Search
13:43 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / P M

KQZ: Tërheqja e kandidatit nuk ndikon në mbajtjen e balotazhit në Kllokot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i tha Radios Evropa e Lirë se pavarësisht se një nga kandidatët për kryetar komune të Kllokotit ka njoftuar për tërheqjen nga gara, në këtë komunë do të mbahet rundi i balotazhit.

Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiq nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb” njoftoi më 3 nëntor se i është bashkuar Listës Serbe, parti nga e cila ka qenë kundërkandidati i tij në zgjedhjet lokale në Kllokot dhe është tërhequr nga gara e 9 nëntorit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i tha Radios Evropa e Lirë se tërheqja e një kandidati nga procesi zgjedhor në këtë fazë “nuk ndikon në mbajtjen e garës zgjedhore”.

“Sipas procedurave dhe afateve të vendosura nga KQZ-ja, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ishte data 2 shtator 2025. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit vazhdon me emrat e dy kadidatëve që kanë fituar më së shumti vota në rundin e parë”, tha Elezi.

Sipas një njoftimi nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – Spasiq së bashku me të gjithë anëtarët dhe këshilltarët e kësaj nisme iu bashkuan kësaj partie, duke shtuar se ata “besojnë pa rezerva në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Sipas rezultateve preliminare, në rundin e balotazhit për zgjedhjet lokale Spasiq do të përballet me kandidatin e Listës Serbe, Bozhidar Dejanoviq.

Spasiq tha se dëshiron që të gjithë kontributin dhe burimet e nismës qytetare t’i përqendrojë te Lista Serbe, që tha se është “familja politike që bashkon popullin serb në Kosovë”.

“Njëkohësisht, unë, Sreçko Spasiq, dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokotit se tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit që do të mbahet më 9 nëntor. Me gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritanishëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tashmë anëtarë të Listës Serbe, do të përkushtohemi për fitoren e Listës Serbe”, u tha në njoftim.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar që ta kontaktojë Spasiqin për koment, por deri më tani ai nuk është përgjigjur.

Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe që ka shkuar në balotazh, pasi në nëntë komunat e tjera Lista Serbe ka fituar qysh në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 12 tetor.

Sipas rezultateve, në rundin e parë në Kllokit, Bozhidar Dejanoviq fitoi 893 vota apo 41.38 për qind të votave, ndërkaq Sreçko Spasiq 674 vota apo 31.23 për qind.

Lidhja e Kosovës më 28 tetor tha se në rundin e dytë do të mbështeste Spasiqin. Kjo parti në rundin e parë mori 73 vota. Po të njëjtën ditë, nga nisma e Spasiqit thanë se 9 nëntori “është datë që do të hyjë në histori”, me parullën “Të gjithë së bashku për një fitore”.

Lista Serbe e ka mirëpritur vendimin e Spasiqit për tërheqje nga gara dhe bashkim në këtë subjekt, duke e cilësuar si “dëshmi të pjekurisë dhe përgjegjësisë politike”.

Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, iniciativa e Spasiqit gjithashtu kishte arritur të futej në rundin e dytë në Kllokot, por në fund fitoi Lista Serbe.

Atë botë, para rundit të dytë Nisma Qytetare “Bashkimi Popullor” e Sasa Mirkoviqit e mbështeti Listën Serbe, ndonëse Sreqko Spasiq pretendonte se kishte “marrëveshje parimore” me të.

Sreqko Spasiq ka qenë më parë kryetar i komunës së Kllokotit nga radhët e Listës Serbe, por e kishte braktisur këtë parti në vitin 2017, kur i biri i tij, Strahinja Spasiq, kandidat për kryetar komune, mbeti pa mbështetjen e partisë para rundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Në atë kohë, Lista Serbe njoftoi se kandidati i saj për rundin e dytë ishte Bozhidar Dejanoviq, i cili në rundin e parë kishte garuar në emër të Iniciativës Qytetare “Kllokot–Vërbovc”, dhe jo me Sreçko Spasiqin.

Më pas u njoftua se Dejanoviq, bashkë me të gjithë anëtarët e nismës së tij, i ishte bashkuar Listës Serbe dhe u bënë thirrje qytetarëve ta mbështesin në rundin e dytë të zgjedhjeve.

Më pas, Dejanoviq fitoi me 50.24 për qind të votave, ndërsa Strahinja Spasiq mori 49.76 për qind. Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, Dejanoviq fitoi si kandidat i Nismës Qytetare “Kllokot–Vërboc”, ndërsa Strahinja Spasiq garoi në emër të Listës Serbe.

Megjithatë, Dejanoviq deri tani e ka ushtruar funksionin e kryetarit të Kllokoti si përfaqësues i Listës Serbe.

Kllokoti është një nga katër komunat me shumicë serbe në rajonin e Anamoravës, ku jetojnë rreth 30 mijë serbë. /REL/