10:00 / E Martë, 07 Maj 2019 / indeksADMonline

KQZ tregon se sa komisionerë do jenë në zgjedhjet e Veriut dhe se sa ditë do zgjatë fushata

Dorëheqjet e kryetarëve në katër komunat veriore kanë bërë që këto komuna të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Zgjedhjet për kryetar në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut do mbahen në pjesën e dytë të muajit maj, përkatësisht më 19 të këtij muaji.

E për këto zgjedhje nga Komisioni Qendror Zgjedhor janë emëruar 670 komisionerë, të cilët do angazhohen në 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime.

Këtë për Indeksonline e ka bërë të ditur, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai ka shtuar se përgatitjet për këto zgjedhje janë duke shkuar sipas planifikimeve të parapara.

“Përgatitja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 19 majit në këto 4 komuna është duke vijuar me rregull dhe sipas planifikimeve. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë pengesë në organizimin e këtyre zgjedhjeve.”

Elezi më tutje ka shtuar se fushata zgjedhore për zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe do të fillojë më 13 maj dhe do të zgjasë 5 ditë.

KQZ fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote të shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe kërkon nga subjektet politike që të iu përmbahen ligjeve gjatë këtij procesi.

“Fushata zgjedhore do të filloi më 13 maj dhe do të përmbyllet më 17 maj. Pra janë 5 ditë në dispozicion të subjekteve politike dhe kandidatëve për të mbajtur tubime politike.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke punuar me përkushtim që më 19 maj qytetarëve me të drejtë vote t’iu mundësohet realizimi i të drejtës së tyre të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton qytetarët me të drejtë vote në këto komuna që të shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre, ndërsa subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësitë e tyre i ftojmë që t’u përmbahen ligjeve dhe kodit të mirësjelljes gjatë këtij procesi zgjedhor”, ka shtuar ai.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpalosur edhe detaje rreth akreditimit të vëzhguesve.

“Afati për dorëzimin e kërkesave për akreditim të vëzhguesve përfundon më 12 maj dhe deri në këtë datë kërkesën për akreditim mund ta dorëzojnë: Subjektet politike të certifikuara; OJQ-të; Organizatat Qeveritare dhe Ndërqeveritare; Organizatat Ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Përfaqësuesit e vendeve të huaja; dhe Mediat. Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i vëzhgojnë këto zgjedhje”, ka përfunduar ai.

Katër kryetarët e komunave në veri dhanë dorëheqje nga posti i tyre si revoltë ndaj taksës 100% ndaj produkteve serbe të vendosur nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit që lëmë pas.

Tre nga kryetarët e dorëhequr, kanë rikandiduar prapë për zgjedhjet e 19 majit. /Indeksonline/