KQZ vendos për rinumërimin e 16 kutive të votimit nga komuna të ndryshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërimin e fletëvotimeve të 16 kutive të votimit, që i takojnë vendvotimeve të komunave të ndryshme të vendit.
Nga ky numër, 5 kuti votimi i përkasin zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ndërsa 11 kuti të tjera i takojnë zgjedhjeve për Kuvendet Komunale.
Sipas Rregullores Zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), rinumërimi rekomandohet në rastet kur gjatë procesit konstatohen mospërputhje – për shembull, kur numri i nënshkrimeve në listat e votuesve është më i madh ose më i vogël se numri i fletëvotimeve në kuti.
Procesi i rinumërimit pritet të zhvillohet në QNR në Prishtinë, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve të KQZ-së dhe vëzhguesve të akredituar.
