12:18 / E Shtunë, 13 Maj 2023 / shkelqim osmanaj

KQZ vëzhgon procesin zgjedhor në Shqipëri, Radoniqi uron mbarësi dhe zgjedhje të suksesshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po qëndron në Shqipëri për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të cilat do të mbahen më 14 maj 2023.

Para ditës së zgjedhjeve, delegacioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i kryesuar nga Kreshnik Radoniqi dhe në përbërje të anëtarit, Sami Kurteshi dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, janë takuar me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Kryetari Radoniqi, vlerësoi lartë bashkëpunimin e mirë ndërmjet dy institucioneve dhe në emër të KQZ-së së Kosovës uroi që dita e zgjedhjeve të shkojë mbarë e të përmbyllet me sukses.

Po ashtu, delegacioni i KQZ-së së bashku me anëtarë të Trupave të Menaxhimit të Zgjedhjeve nga shtete të ndryshme, morën pjesë në prezantimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për përgatitjet e procesit zgjedhor. Vëzhguesit e TMZ-ve u njoftuan edhe për specifikat e këtij procesi zgjedhor dhe për aplikimin e teknologjisë informative në votimin elektronik në tri bashki të ndryshme.

Në Ditën e Zgjedhjeve anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të jenë prezentë në disa Qendra të Votimit për të përcjellë nga afër organizimin e zgjedhjeve.