75 Mall Live Search
17:15 / E Mërkurë, 30 Korrik 2025 / Z S

KQZ: Votuesit që regjistrohen për votim jashtë Kosovës largohen nga lista e votuesve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me procesin e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Indeksonline ka bërë të ditur se çdo shtetas i Kosovës që regjistrohet për të votuar nga jashtë vendit largohet nga lista e votuesve që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve.

Ai po ashtu, ka shpjeguar se ekziston mundësia që një shtetas i Kosovës, pasi është regjistruar si votues jashtë Kosovës, të kthehet në listën votuese brenda Kosovës.

“Është detyrim ligjor për KQZ-në që shtetasit e Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të largohen nga Lista e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës. Këtë informacion, KQZ ua transmeton individualisht çdo shtetasi që ka aplikon dhe regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës”, tha Elezi.

Më tej, Elezi ka shpjeguar edhe rastet kur ndonjë shtetas, pasi arrin të regjistrohet si votues jashtë Kosovës, kërkon që të rikthehet në Listën Votuese brenda Kosovës për të votuar fizikisht në vendvotimin e tij.

“Mund të ndodh që ndonjë shtetas i cili pasi është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës të kërkojë të çregjistrohet nga kjo mënyrë votimi dhe të kthehet në Listën Votuese brenda Kosovës për të votuar fizikisht në vendvotim. Kësaj situate, KQZ i ka dhënë zgjidhje me anë të Rregullores Zgjedhore për Votimin Jashtë Kosovës. Pra, votuesi i regjistruar për votim jashtë Kosovës, i cili kërkon të kthehet në listën votuese brenda Kosovës, ka kohë të paraqesë kërkesën e tij deri më 30 gusht 2025”, shpjegoi Elezi.

Për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, KQZ ka funksionlizuar platformën elektronike https://diaspora.kqz-ks.org, ndërkaq përmes platformës tjetër https://qv.kqz-ks.org qytetarët mund ta kontrollojnë se ku është qendra e tyre për votim në Kosovë.