75 Mall Live Search
22:51 / E Martë, 27 Maj 2025 / Burim

Kraki i del në mbrojtje Pecit: Këta që Radojçiqit ia hiqnin flet-arrestet, i vërsulen endacaçke ministrit që ‘ringjalli bujqësinë’

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, i ka dalë në mbrojtje ministrit të Bujqësisë në detyrë, Faton Pecit, i cili u intervistua sot për disa orë nga Prokuroria Speciale për hajni.

Përmes një postimi në Facebook, Kraki ka degraduar gjuhën e tij prej profesori, duke i quajtur mediat banditeske e kriminale.

“Dhe kështu erdhem në pikën ku prokurorët e Kosovës e marrin të mirëqenë dhe e shfaqin si provë edhe propagandën më absurde kundër një ministri. Propaganden që bandat politiko-mediatike e gatuajnë dhe e shërbejnë me porosi nga ata që pësuan humbje milionëshe këto 4 vite, nga dita kur u ndoqen nga arkat e shtetit”, ka shkruar ai.

Kraki ka shtuar se “këta që Radojçiqit ia hiqnin fletarrestet duke e bërë kështu të mundur edhe sulmin terrorist në veri, i vërsulen endacaçke Ministrit që krim të vetëm kishte ringjalljen e bujqësisë dhe rikthimin e shpresës”, raporton IndeksOnline.

Postimi i plotë:

Dhe kështu erdhem në pikën ku prokurorët e Kosovës e marrin të mirëqenë dhe e shfaqin si provë edhe propagandën më absurde kundër një ministri. Propaganden që bandat politiko-mediatike e gatuajnë dhe e shërbejnë me porosi nga ata që pësuan humbje milionëshe këto 4 vite, nga dita kur u ndoqen nga arkat e shtetit.

Dhe, këta që Radojçiqit ia hiqnin fletarrestet duke e bërë kështu të mundur edhe sulmin terrorist në veri, i vërsulen endacaçke Ministrit që krim të vetëm kishte ringjalljen e bujqësisë dhe rikthimin e shpreses në tokën pjellore të Kosovës. Ministrit që i dinamizoi mbi 120 mijë fermerë duke e rritur tokën e punuar në Kosovë për 50%. Ministrit që ka guxu.

Në fakt, edhe mediat e krimit edhe prokurorët e bandave janë produkt i asaj Kosovës që s’ekziston më. Se zor e kam ta kuptoj dobinë publike të një emisioni 50 minutesh ku si shkelje nxirret jo më mos realizimii punës së paguar por mënyra si është pagu puna e kryer. Në Kosovën e atyre një traktor « dhurohej » 30 herë dhe një livadh merrte grant 20 herë sepse ishte dhënë 20 herë me qira të njejtin vit.

A ju kujtohet ndonje zbarkim spektakular i prokurorisë në ministrinë e asaj kohe? JOOO!

Tash a duhet të merren seriozisht disa tipa që për mê shumë se 20 vite nuk shquhen për ASNJE rast të nisur e të mbyllur në interes të Kosovës e në respekt të parimeve bazë të drejtësisë?

Prandaj na duhet urgjentisht qeveria Kurti 3 dhe funksionalizimi sa më i shpejtë i procesit të vettingut bashkë me mekanizmin e konfiskimit të pasurisë së vjedhur.