75 Mall Live Search
13:10 / E Hënë, 28 Mars 2022 / MSH

Krasniqi bën homazhe në Izbicë: Është vetëm një nga dëshmitë e gjenocidit serb

I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë sot homazhe në Izbicë, me rastin e përvjetorit të masakres së Izbicës.

Krahas Memlit ishin edhe bashkëpartiakët e tij dhe shumë banorë të fshatit Izbicë të cilët u përkulen përpara memorialeve.

May be an image of 12 people, people standing and outdoors

“Sot, ne u përkulëm para vendit ku prehen viktimat e kësaj masakre, me dhembje dhe nderim, duke kujtuar shpirtin e tyre qëndrestar, përballë makinerisë vrastare serbe” ka thënë Krasniqi pas homazheve.

May be an image of 9 people, people standing and outdoors

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Me 28 mars 1999, në Izbicë koha u ndal. Vdekja mbuloi fshatin. Ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë nuk kursyen askënd. Nga më të vegjëlit e deri te më të moshuarit, 147 civilë të paarmatosur e të pafajshëm, u kthyen në cak të një prej krimeve e masakrave më makabre që u kryen gjatë luftës në Kosovë.

Në mesin e tyre ishte edhe Dafina, pa i mbushur ende 6 muaj, trupi i së cilës u gjet 18 vjet pas vrasjes në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi.

Dhe kjo është vetëm një nga dëshmitë e gjenocidit serb, në mesin e mbi 400 masakrave anekënd Kosovës.

Sot, ne u përkulëm para vendit ku prehen viktimat e kësaj masakre, me dhembje dhe nderim, duke kujtuar shpirtin e tyre qëndrestar, përballë makinerisë vrastare serbe.

Edhe sot, 23 vjet pas luftës, familjet e martirëve, Izbica, Skënderaj, Kosova, presin akoma drejtësi për këtë krim mizor. Drejtësinë do ta kërkojmë përjetësisht – ashtu siç përjetësisht do të jetojmë me kujtimin dhe nderimin e martirëve tanë. Lavdi, sot e përgjithmonë!