75 Mall Live Search
11:04 / E Mërkurë, 05 Mars 2025 / MSH

Krasniqi: Emrat e familjes Jashari janë më të mëdhenj se koha

Pjesëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, në krye me Memli Krasniqin, kanë bërë sot homazhe në varrezat e Prekazit, me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Me të përfunduar kjo ceremoni, Krasniqi u shpreh se më 5, 6 dhe 7 marsin e 27 vjetëve më parë, qëndresa u bë betim, flijimi udhërrëfim dhe familja Jashari u ngrit në përjetësi.

 “Nga nëna Zahide dhe baca Shaban, nga Hamza te Ademi, nga Kushtrimi te daja Osë – burra e gra, fëmijë e pleq, një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme, duke i kënduar lirisë edhe në çastet e fundit. Ata e dinin dhe besonin: Liria nuk dhurohet dhe as nuk blihet – ajo fitohet me gjak dhe me sakrificë!”, u shpreh Krasniqi.

Ky është postimi i plotë i tij:

Sërish vjen marsi dhe ne ndërrojmë mot – por vetëm ata nuk plaken kurrë!

27 vjet më parë, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi!

Nga nëna Zahide dhe baca Shaban, nga Hamza te Ademi, nga Kushtrimi te daja Osë – burra e gra, fëmijë e pleq, një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme, duke i kënduar lirisë edhe në çastet e fundit. Ata e dinin dhe besonin: Liria nuk dhurohet dhe as nuk blihet – ajo fitohet me gjak dhe me sakrificë!

Sot, pas 27 vjetësh, emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll! Ata janë aty – të përjetshëm – në historinë tonë, në frymën e kësaj toke të lirë, në gjakun që rrjedh në damarët e çdo shqiptari!

Prekazi nuk është thjesht një vend – është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin.

Kosova është ai lis i pamposhtur që vazhdon të rritet, të zgjerojë degët dhe të ngjitet në lartësi të reja – çdo ditë, çdo vit, deri në përjetësi!

Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari!

Lavdi familjes heroike Jashari!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!