Krasniqi: Është jetike që kjo Qeveri e kapelave të zeza të bie!

Deputetët e VV-së sot munguan në seancë e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohej lidhur me zhvillimet e fundit në vend.
E lidhur me mungesën e tyre ka ardhur reagimi nga ana e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.
Krasniqi është shprehur se komisarët e kryeministrit Kurti po tentojnë ta heshtin opozitën dhe ta fshehin të vërtetën.
‘’I zënë pamohueshëm në flagrancë duke vepruar kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve, pushteti ka zgjedhur ikjen, fshehjen dhe me këtë rast, edhe turpin. Ata nuk u paraqitën as sot në Kuvend, të paktën që të marrin kapelat e zeza që ua bëmë dhuratë’’, ka shkruar Krasniqi.
Më tutje kreu i PDK-së ka theksuar se më nuk ka dyshime që shteti është i kapur nga Kurti dhe vartësit e tij.
‘’Tash kanë mbetur vetëm dy gjëra para se kjo Qeveri të bie për t’u mos u kthyer më: prokuroria të bëjë punën e saj dhe qytetarët të votojnë për largimin e saj më 9 shkurt të vitit 2025. Rikthimi i Kosovës në drejtimin e duhur, të zhvilimit dhe të integrimit euro-atlantik, e ka vetëm një adresë: Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës!’’, është shprehur kreu i PDK-së,/Indeksonline/