Krasniqi: Gjermania tentoi t’i bashkojë UÇK’në dhe FARK’un, Bukoshi i kishte 500 milionë marka në konto
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka folur për luftën e Kosovës.
Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se Gjermania ka bërë përpjekje që t’i bashkojë UÇK’në dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës.
Krasniqi ka kujtuar t’i jetë thënë në Gjermani se Bujar Bukoshi, asokohe kryeministër i Kosovës, i kishte 500 milionë marka në llogari bankare.
“Në Gjermani ka qenë një përpjekje e ambasadorit Pauls, që të na bashkojë, Qeverinë e Bukoshit me Shtabin e Përgjithshëm të Kosovës”, ka treguar Krasniqi.
“Kemi pasur një bisedë, që nuk kemi mundur të arrijmë kushedi çfarë përfundimi”, është shprehur ai.
“Ajo që më kujtohet mirë është se abasadori Pauls ka thënë që është edhe interesi i UÇK’së të bashkëpunojë dhe të merret vesh me Qeverinë e Bukoshit, se ata në fondin e tyre i kanë diku 500 milionë marka”, ka kujtuar Krasniqi. /Express/