16:35 / E Martë, 27 Mars 2018 / indeksADMonline

Krasniqi: Hymë në konflikt të ri me Serbinë, të dëshmohet se jemi faktor i rëndësishëm antirus!

Situata e djeshme në vend bëri që Lista Serbë të bëjë të ditur largimin nga Qeveria e tanishme e Kosovës.

Përpos kësaj janë pikërisht përfaqësuesit e vendeve të huaja kanë porositur Kosovën dhe Serbinë të jenë sa më të përmbajtur në këto situata. Arrestimi i shefit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq bëri që Serbia të mos ndalojë deklarimet kundër shtetit të Kosovës. Për ngjarjet në vend gjatë ditës së djeshme i pari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq thuhet të ketë kontaktuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ndërkohë analisti dhe profesori i UP-së, Milazim Krasniqi ka theksuar se tashmë kemi hyrë në konflikt të ri me Serbinë.

Sipas tij është momenti më i favorshëm që të dëshmohet se jemi faktori më i rëndësishëm antirus në rajon dhe aleat i besueshëm i Perëndimit, transmeton Indeksonline.

Ky është statusi i plotë:

Kemi hyrë në konflikt të ri me Serbinë. Mbas mbylljes së problemiit të demarkimit të kufirit me Malin e Zi, mundësitë e Kosovës janë më të mëdha në këtë konflikt. Është momenti kur duhet të goditet ëndrra serbe për ripushtimin e Kosovës a ndarjen e saj (si version i tyre rezervë.) Ashpërsimi më i ri i Perëndimit me Rusinë është rrethanë shumë e favorshme. Në këtë kontekst duhet të dëshmohet se jemi faktori më i rëndësishëm antirus në rajon dhe aleat i besueshëm i Perëndimit. Pra, konflikti i ri duhet të paraqitet jo vetëm si konflikt ndërmjet Kosovës e Serbisë, po edhe si konflikt i Rusisë me NATO-n. Ky konflikt i tillë ka qenë edhe në vitin 1999 dhe i tillë është edhe sot. Dëbimi i menjëhershëm i tërë personelit agjenturor rus nga Kosova do të duhej të ishte pjesë e këtij konflikti.