Krasniqi i prerë: Kurti nuk ka votë nga PDK’ja për kryeministër

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se kreu i VV-së, Albin Kurti, nuk e ka votën nga PDK-ja për kryeministër.
Krasniqi është shprehur i prerë në këtë qëndrim.
“Varet a konstituohet Kuvendi, dy mundësi janë këtu, përfundon konstituimi, hyjmë në afate kushtetuese. Unë i kam thënë z.Kurtit, urdhëro, dëshmoje që i ke 61 vota. A ka më e çuditshme se me thënë “unë i kam votat për kryeministër, por s’i kam votat kryetar Kuvendi, kjo s’ka ndodhur asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.
Por, në pyetjen se a ka votë nga PDK-ja për kryeministër, a u shpreh se kjo s’mund të ndodh në asnjë mënyrë.
“Jo në asnjë mënyrë, ajo është punë që as që diskutohet. Do të thotë ka votë kundër”, ka deklaruar Krasniqi në Klan Kosova.
PDK sot votoi pro zgjedhjes së Dimal Bashës për Kryeparlamentar. Krasniqi është pyetur në lidhje me mundësinë që po përflitet për një bashkëpunim përtej këtij të sotmit.
“Spin doktorët kujdestarë ishin munduar të krijojmë një shpjegim krejtësisht jorealist. Kuptojeni, është krejt çka po shihni. Nuk ka prapavijë, nuk ka qëllime tjera. Është çka kemi thënë nga dita e parë, dhe e kemi mbajtur sot”, tha Krasniqi.
I pyetur konkretisht nëse ka ndonjë bashkëpunim mes PDK-së dhe LVV për zgjedhjet lokale, Krasniqi tha: “Absolutisht jo”.