18:26 / E Martë, 27 Mars 2018 / indeksADMonline

Krasniqi: Koha ka ndryshuar e bashkë me të edhe Vetëvendosje!

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Frashër Krasniqi në një intervistë për Telegrafin ka treguar për largimin e tij nga Vetëvendosje dhe krijimin e Grupit të Deputetëve të Pavarur dhe të ardhmen politike të këtij grupi.

Duke folur rreth largimit të tij dhe të tjerëve nga Vetëvendosje, Krasniqi tha se nuk ka të bëjë kjo me tradhti ashtu siç po thuhet.

“Ne nuk e kemi tradhtuar askënd ne vetëm mendojmë ndryshe, mënyra e reagimit që është bërë ka qenë problematike. Nuk është e vërtetë që thelbi i largimit tonë nga VV-ja ka qenë zgjedhja e Albin Kurtit kryetar. Problemi ka qenë se kah po dëshiron ta dërgojë Albini, Vetëvendosjen, nuk ka pasur të bëjë me personin por me platformën e tij dhe mënyra se si ai e sheh zhvillimin e VV-së me të cilin ne nuk kemi qenë dakord.”, u shpreh Krasniqi.

Ai më tej theksoi se koha ka ndryshuar e bashkë me të edhe Vetëvendosje.

“U krijua një situatë e re ku dukej se ne nuk duhej t’i përdorim më metodat e njëjta. Nuk mendoj se duhet të ketë lidhje dogmatike të metodave…”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi duke komentuar hedhjen e gazit lotsjellës nga Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës në ditën kur u votua demarkacioni, tha se ky veprim i VV-së ka qenë për hir të kësaj metode që ka përdorur edhe në të kaluarën.

“Ka qenë si aktivitet për hir të asaj metode, u dike që aty nuk mund të ndalet demarkacioni për shkak të gazit. Ishte joefikas dhe u bë thjeshtë që VV dëshironte ta ruante idenë që vazhdojnë të jenë të njëjtë dhe të ruajnë metodat që i ka përdorë më parë”, tha Krasniqi.

Deputeti i GDP-së ka thënë se ai së bashku me deputetët e tjerë të këtij grupi do të vazhdojnë jetën politike dhe se janë duke diskutuar se në çfarë forme do të vazhdojnë tutje.

“Planifikojnë me vazhdua jetën politike, jemi duke diskutuar se çfarë forme do të merr kjo punë. Do të jetë një grupim i ri politik…”, tha Krasniqi.