Krasniqi: “Kosova kërkon atë që u takon bijve të saj, drejtësi, liri dhe të vërtetën”
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se është duke u zvarritur procesi i lirimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Në pesë vjetorin e arrestimit të tyre, Krasniqi kujton se Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi shkuan në Hagë me kokën lart, shkruan IndeksOnline.
“Për 1,826 ditë, ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, me durim e me besim. Për hir të së vërtetës dhe të drejtësisë.
Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët”, u shpreh Krasniqi.
Ky është postimi i plotë i tij:
Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s’e ka marrë verdiktin që e meriton.
Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës.
Dhe kjo histori e vendit tonë nuk mund të rishkruhet në asnjë gjykatë. Ajo është shkruar me gjak, me sakrificë dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë.
Për 1,826 ditë, ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, me durim e me besim. Për hir të së vërtetës dhe të drejtësisë.
Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët!

