Krasniqi kritika Kurtit: S’ka numra për qeveri, Von der Leyen e takoi në Kuvend!

Albert Krasniqi nga organizata Demokraci +, po vlerëson se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si mandatar për formimin e qeverisë, nuk posedon dot numrat për themelimin e ekzekutivit të ri.
Në KlanKosova ai u shpreh se Kurti po përdorë edhe retorikën e bllofave, ngjashëm siç kur s’i kishte numrat edhe për emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, transmeton klankosova.tv.
”Deklaratat e atëhershme, kishin shkarje logjike sepse Kurti i cili ishte i interesuar të formonte sa më shpejt qeverinë dhe i kishte votat për vete, ato të njëjtat s’mund të llogariteshin për Albulena Haxhiun për t’u zgjedhur kryetare e kuvendit në mënyrë që t’i hapte rrugë, zgjedhjes së qeverisë dhe Kurtit 3”.
”Dhe ashtu siç nuk i ka pasur atëherë për kryetare të kuvendit dhe bënte bllofa të tillë, kjo është vazhdimësi e një retorike të tillë, për të arsyetuar mungesën e numrave që ka”.
”Është edhe një deklaratë tjetër, pas mandatimit ku thotë se tani jemi duke bërë analiza për rezultatet e zgjedhjeve lokale, dhe nuk jep interesim se është duke punuar për të formuar qeverinë”.
”Ai është afati, maksimal – dhe zakonisht qeveritë që i kanë pasur numrat, e kanë bërë që atë ditë, nuk kanë pritur as të nesërmen që ta formojnë qeverinë. Po në rregull, edhe kur nuk janë numrat të paktën shohim përpjekje prej atyre të mandatuarve, që të kenë takime të tjera, për të krijuar shumicën për përbërjen e qeverisë”.
”Por, Kurti tani ka zhvendosur në diskurs, duke u munduar të heq presionin publik, mbi mosaktivitetin e tij për të formuar qeverinë. Thotë se jemi duke bërë analiza të zgjedhjeve lokale. ‘Qendrat i bëjnë analizat’ thotë, dhe ‘ju keni kohë të bëni gjëra të tjera’ ”.
”Këtu e vnon, partinë përpara shtetit. Ai është kryeministër në detyrë, por institucionet e Kosovës, janë jofunksionale, është qeveri që ka mandat të kontestuar por dhe legjitimitet të cunguar dhe detyra të cunguara”.
Ndër tjera, ai përmendi edhe vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, e cila konfirmoi raportimin ekskluziv të Klan Kosovës muaj më parë, se askush nga BE, nuk i shkon më Kurtit në qeveri për takime.
”Von der Leyen nuk pranoi që ta takojë në ndërtesë të Qeverisë, por në ndërtesën e Kuvendit. Dhe është vendim zyrtar i institucioneve të Bashkimit Evropian që nuk e takojnë askënd në objektin e qeverisë, për shkak të kontestimit që i bëhet vet qeverisë në detyrë, dhe ajo e takoi në sallën ku mblidhet kryesia e kuvendit dhe jo në cilësinë e kryeministrit”.