Krasniqi: Lëvizja Vetëvendosje ka çuditur botën, që u bllokua vetëm nga një kërkesë e LDK-së

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka çuditur botën kur është bllokuar nga kërkesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan IndeksOnline.
Sipas tij, LDK-ja kërkonte vetëm një zotim për presidentin, pas një viti.
“LVV-ja ka çuditur dynjanë, kur është bllokuar nga një kërkesë e LDK-së, e cila kërkonte vetëm një zotim për presidentin, pas një viti. Në vend se ta formonte Qeverinë shpejt e të fillonte zbatimin e programit, LVV-ja u kurthua e u harxhua në atë kërkesë. Tentoi t’i bënte presion LDK-së, me gjoja sondazhe, me luftë psikologjike e propagandë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se të gjitha këto veprime ishin gabim pasi që Kurti do të duhej ta niste menjëherë qeverisjen.
“Nëse do të qeveriste me sukses, do t’i diktonte më lehtë kushtet për presidentin. Por jo kështu. Ata që e njohin LDK-në, e dinë se ajo edhe kur është e ngathtë dhe e hutuar, prapë është e pashantazhueshme. LDK është e brymosur me idenë e misionarizmit rugovist. Nuk është mposhtur me dhunë, aq më pak mund të mposhtet me propagandë. Në fakt, ashtu ajo vetëm kompaktësohet”, shtoi ai./IndeksOnline/