Krasniqi merr pjesë në varrimin e Ilmi Ramadanit: Kosova humbi një personalitet të rrallë të rezistencës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur ngushëllimet e tij pas ndarjes nga jeta të Ilmi Ramadanit, duke e cilësuar atë si një figurë të shquar të rezistencës dhe shtetndërtimit.
“Sot i dhamë lamtumirën e fundit Ilmi Ramadanit – njeriut që tërë jetën ishte në shërbim të lirisë dhe kauzës kombëtare. Nga angazhimi në ilegalitet, burgjet politike, te radhët e UÇK-së, e deri te ndërtimi i institucioneve të Kosovës, Ilmiu mbeti gjithmonë i përkushtuar ndaj atdheut”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai tha se Kosova ka humbur një personalitet të rrallë, jetën dhe veprën e të cilit do ta kujtojë gjithmonë me respektin më të lartë.
“Ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të gjithë popullit të Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, shkroi ai.