Krasniqi: Ndihma e Qeverisë shumë e vogël për bizneset, s’po mund të mbajmë punëtorët

Skender Krasniqi, kryetar i Shoqatës së Afaristëve të Kosovës, po ankohet se pakoja e Qeverisë nuk do t’iu mjaftojë bizneseve për të marrë veten nga goditja e pandemisë.
Ai thotë se derisa vendet e rajonit kanë miratuar tri-katër pako në Kosovë ende e para s’është implementuar mirë derisa për të dytën thotë se ka mangësi serioze në zgjatjen e dorës së prodhimeve vendore.
“Çdo ndihmë që i jepet biznesit në këtë gjendje të rëndë është e mirëseardhur. Por, megjithatë pakoja e parashikuar për subvencionim të bizneseve duke marrë parasysh kohën nga marsi deri tash është ekstremisht e vogël për ne. Tetë muaj kanë shkuar që nga fillimi i pandemisë dhe biznesi nuk është subvencionuar asnjëherë me përkrahje, por punëtorëve i është dhënë një shumë prej 170 euro që është shumë e vogël. Me këtë pako nuk mbështeten bizneset qoftë me lirim të tatimeve, qoftë me ulje të tatimit për banka, për shembull me norma të interesit. Edhe Ligji për Rimëkëmbje nuk parasheh ndonjë përkrahje të madhe”.
“Nëse vazhdohet me këtë përkrahje të vogël në krahasim me nevojat që kanë bizneset, ato do të kolapsojnë bashkë me punëtorët. Shuma prej 290 eurosh për punëtorë që është shumë e vogël”.
Krasniqi në Info Magazine tha se çdo shtet që ia ka ndaluar biznesin dikujt ia ka siguruar minimum edhe mbijetesën, por këtë gjë s’e bëri edhe shteti i Kosovës.
Ai po ashtu u ankua për hendekun e madh që Qeveria krijoi mes sektorit publik dhe atij privat në pagesa.
“80 për qind të stafit, shteti i ka dërguar në shtëpi dhe iu ka dhënë paga të plota. Me këtë veprim shteti, përfshirë Qeverinë dhe Kuvendin, kanë bërë diskriminim të qytetarëve dhe ka bërë dallim mes kategorisë së parë që janë punëtorët e shtetit dhe kategorisë së dytë që janë në sektorin privat që e mbajnë shtetin, duke pasë parasysh që 80 për qind e të ardhurave në shtet janë nga sektorit privat. Sikur të ishim ne skllavë derisa këta po sillen sikur të ishin skllavopronarët tonë”.
Kryetari i afaristëve tha se bizneset janë të vetmit që po iu dalin në ndihmë punëtorëve, meqë sipas tij, nuk po iu del shteti.
“Po bëjmë të pamundurën për të mbajtur numrin e punëtorëve. Nga shtatori deri tani mbi 20 mijë janë larguar nga puna për shkak se s’po mund t’i mbajnë dhe shkak i mospërkrahjes së shtetit. Të investosh një punëtor derisa ta aftësosh biznesi shpenzon dhe largimi i tij i kushton më shumë biznesit sesa që me mbajtë në punë. Maqedonia e Veriut e ka pakon e katërt fiskale. Kuvendet e tjera kanë ndryshuar ligje për përkrahje të bizneseve”.
Krasniqi tha se janë ftuar nga zyrtarët për të biseduar për nevojat dhe kërkesat e tyre, mirëpo as 10 për qind e tyre nuk iu plotësuan.
Ai njoftoi se kërkesat i kanë pasë për lehtësime në arkë fiskale – për shembull t’u hiqen 10 për qind e tatimit në produktet e vendit dhe nëse një konsumator blen produkte 100 euro, në arkë të paguajë 90.