75 Mall Live Search
17:22 / E Mërkurë, 22 Shkurt 2023 / S Z

Krasniqi në Gjilan takon prindërit e të rinjve që po largohen nga Kosova: Janë të zhgënjyer me qeverisjen pa vizon

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka qëndruar në Gjilan, ku ka takuar qytetarët e këtij qyteti, të cilëve fëmijët po u largohen nga Kosova.

Krasniqi  në lagjen Arbëria të Gjilanit, ka takuar familjet Arifi, Ramadani dhe Sinani, të cilët ndajnë fatin e njëjtë të largimit të fëmijëve të tyre nga Kosova, të cilët kanë emigruar në shtetet e Evropës, duke kërkuar një të ardhme më të mirë jashtë vendit.

“Gjatë këtyre dy viteve, dy djemtë e Ramadan Arifit kanë emigruar në Slloveni, ndërsa i treti sot kishte marrë përgjigjen pozitive nga Ambasada e këtij shteti për vizë pune. Njëri djalë i Sadik Ramadanit, që është edhe prind dëshmori, ka emigruar në Itali, ndërsa i vetmi djalë i Arif Sinanit në Gjermani, për shkak të pasigurisë në punësim, mungesës së perspektivës dhe zhgënjimit me qeverisjen pa vizon e pa drejtësi”, ka shkruar Krasniqi..

Sipas Krasniqit është shqetësuese si çdo ditë të rinj të talentuar e me potencial, si dhe profesionistë të shumtë, po e braktisin vendin në mungesë të sigurisë dhe garancës për një të ardhme prosperuese.

“Andaj, misioni ynë është të zhvillojmë shtetin tonë, ku të rinjtë të kenë të gjitha mundësitë për të ndërtuar të ardhmen këtu, të ngrisim nivelin e zhvillimit ekonomik duke krijuar vende të reja pune e me paga dinjitoze, si dhe të investojmë për arsim dhe shëndetësi të qëndrueshme. Kjo është beteja që duhet ta bëjmë 15 vjet pas pavarësisë, që Kosova të mos zbrazet. Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të angazhohet për të arritur këtë synim. Bashkë, do ta kthejmë shpresën dhe besimin në Kosovë!”, ka shkruar Krasniqi./IndeksOnline/