15:05 / E Premte, 16 Gusht 2019 / indeksADMonline

Krasniqi: Ne guxojmë t’i pranojmë gabimet dhe ta luftojmë korrupsionin, partitë e tjera jo

Memli Krasniqi thotë se Kadri Veseli e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe se betejën për reforma që ka nisur në PDK, do ta shtrijë në gjithë Kosovën si kryeministër i ardhshëm i vendit.

Ai ka pohuar se Veseli ka një plan të qartë për ta ndërtuar një të ardhme për të rinjtë në Kosovë, duke krijuar shanse të barabarta dhe duke e fuqizuar ekonominë.

“Kjo mund të bëhet vetëm me një luftë të pakompromis ndaj korrupsionit dhe nepotizmit. Nuk ka opsion tjetër”, ka deklaruar Krasniqi për Indeksonline.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së ka thënë se dikush mund ta ketë keqpërdorur autoritetin brenda PDK-së, por se Kadri Veseli është duke i dhënë fund kësaj.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm se PDK nuk ka qenë pa gabime. Por, procesi i ndryshimit ka filluar dhe do të vazhdojë. Ju do ta shihni se në Qeverinë Veseli nuk do të ketë asnjë person me aktakuzë, jo vetëm nga PDK, por as nga partitë e tjera me të cilat do të mund të qeverisim. Ky është kusht i PDK-së për koalicione”, është shprehur ai.

Krasniqi, më tutje, ka tërhequr vërejtjen se partitë tjera nuk e kanë guximin të veprojnë kundër korrupsionit dhe zyrtarëve të tyre me aktakuza.

“Dallimi midis nesh dhe partive të tjera është se ne po i pranojmë gabimet dhe kemi nisur t’i përmirësojmë ato, ndërsa partitë tjera as nuk po i pranojnë gabimet dhe as nuk po i përmirësojnë ato. Kadri Veseli e ka përnjëmend luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit”, ka deklaruar Krasniqi për Indeksonline.