21:43 / E Premte, 19 Korrik 2019 / indeksADMonline

Krasniqi: Nuk është momenti që sot të flitet për garën për kryeministër

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka reaguar ndaj deklaratave të politikanëve të cilët kanë nisur të kalkulojnë për garën e kryeministrit, menjëherë pas dorëheqjes së papritur të Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Krasniqi ka thënë se sot, tek ne nuk ishte as vendi e as Kuvendi për të bërë garën për Kryeministër.

Postimi i plotë i Krasniqit:

POROSIA E POPULLIT TË URTË

Populli ynë nder shekuj nuk ka pasur mundësi shkollimi e edukimi të organizuar, por ka lënë si trashëgim mendime të ngjeshura aq sa koha e jonë duhet t’u merr lakmi për urtinë, porosinë e thellësinë e mendimit.

Populli na ka lënë shumë urti që na duhet shumë sot. Ajo urti ju thotë brezave: “Sipas vendit Kuvendi”! Kjo fjalë na thotë: O njerëz, në secilin rast, gjeje fjalën e duhur, fjalës gjeja vendin e duhur! Sot, tek ne nuk ishte as vendi e as Kuvendi për të bërë garën për Kryeministër. Mos u ngutni, i vije radha edhe garës për Kryeministër, afër është! Afër është, por nuk është lehtë për të qeverisur. Gjithë këto vite e kanë treguar se dëshira e mundësia janë shumë larg njëra nga tjetra.

Kujdes! Fytyra e njeriut nuk është Fushë e Banatit! Janë vetëm dy gisht fytyrë! Lumi ai që i ruan ata dy gishta!