Krasniqi: Nuk ka asnjë ndryshim milimetrik të qëndrimeve të PDK-së karshi Vetëvendosjes

Memli Krasniqi përfaqësoi sot Partinë Demokratike të Kosovës në takimin e thirru nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar nga COVID-19.
Pas daljes nga takimi ndër të tjerash Krasniqi u pyet edhe për qëndrimet e PDK-së drejt Lëvizjes Vetëvendosje, pas këtij takimi.
Sipas tij, shkuarja e tij në këtë takim nuk paraqet asnjë ndryshim milimetrik të qëndrimeve të PDK-së karshi Vetëvendosjes, raporton Indeksonline.
“Këta nuk e kanë dert ligjin, munden por pastaj s’do të munden më sepse për shkelje ligjore do të përgjigjen secili. Interesi dhe inati politik i kësaj qeverie na ka sjellur deri në këtë situatë për punët që kemi mundur t’i kryejmë në Kuvend edhe s’kanë filluar. Kam qenë i drejtpërdrejtë siç kemi qenë në çdo konferencë, ua kam shprehur qëndrimin absolut të PDK-së, mospajtimet tona dhe qëndrimet tona. Kjo qeveri nga fillimi s’është marrë me problemet e qytetarëve, por me PR me rrjete sociale e këtë po e paguajnë më së shumti qytetaret. Ardhja ime sot këtu për të përfaqësuar PDK nuk paraqet asnjë ndryshim as milimetrik të qëndrimeve të PDK-së karshi Vetëvendosjes, ne nuk kemi pas bashkëpunim dhe nuk mund të parashoh bashkëpunim. Dallimet janë të mëdha, s’shoh bashkëpunim as në pozita as në opozita nëse këta vazhdojnë të qëndrojnë në pozitë sepse ne vazhdojmë të jemi në opozitë. Jo me Vetëvendosjen, por kur ka të bëjë me interesin qytetar do të mundohemi t’i kalojmë ndryshimet partiake.Por nuk ka ndryshim kurrfarë në raportin tonë me VV-në, si PDK po flas. Qëndrimet e ambasadorëve janë të tyre qëndrimi ynë si PDK, duhet të jetë ky që e kemi thënë që sa ditë që ka qenë gabim drastik ndryshimi I raporteve Kosovë-Serbi s’mund të ndodh me këso elemente propagandistike të vogla”, tha ai./Indeksonline/