Krasniqi pas njohjes nga Siria: Çdo njohje e re është një hap përpara drejt forcimit të shtetësisë
Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht sot Pavarësinë e Republikës së Kosovës.
E pas kësaj ka reaguar lideri i PDK-së Memli Krasniqi. Krasniqi ka thënë se çdo njohje e re është një hap përpara drejt forcimit të shtetësisë, integrimit dhe ringritjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ndërsa ka thënë se Kosova ka nevojë për më shumë miqësi e diplomaci dhe se vizioni izolues duhet të marrë fund.
“Siria ka njohur pavarësinë e shtetit tonë, duke e çuar në 120 numrin e njohjeve ndërkombëtare. Mirënjohje për miqtë tanë që vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës dhe për rolin e tyre në këtë proces. Çdo njohje e re është një hap përpara drejt forcimit të shtetësisë, integrimit dhe ringritjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për më shumë miqësi, më shumë diplomaci dhe më shumë besim në vetvete. Vizioni izolues duhet të marrë fund, dhe vendi ynë duhet t’i rikthehet politikës së jashtme aktive, bashkëpunuese dhe dinjitoze, në aleancë të plotë me partnerët tanë strategjikë”, ka thënë Krasniqi. .

