12:54 / E Shtunë, 11 Shtator 2021 / A. M.

Krasniqi: PDK do të punojë me SHBA-të për përhapjen e demokracisë dhe paqes në botë

Kryetari i Partisë Demokratike, Memili Krasniqi, ka shkruar për 20 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit, që tronditën botën demokratike.

“Ky akt terrorist nuk goditi vetëm SHBA-të, por mbarë popujt e shtetet që besojnë në vlera të demokracisë, lirisë e qytetërimit. Ngjashëm, siç edhe ndërgjegjësoi mbarë botën demokratike për urrejtjen dhe mizorinë e terrorizmit, ndaj të cilit, kundërvënia nuk qe më alternativë, por domosdoshmëri”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Në 20 vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike për kombin dhe shtetin amerikan, kujtojmë me nderim të gjithë qytetarët që humbën jetën nga këto sulme. Viktimat ishin të 70 kombësive të ndryshme dhe në mesin e tyre kishte edhe 4 bashkëkombas shqiptarë, çka dëshmon se terrorizmi është kërcënim global për të gjithë popujt pa dallim”.

Krasniqi tha se sulmet fikën mijëra jetë të pafajshme, por ngjalli miliarada tjera kundër terrorit.

“Jemi krenarë që Kosova është rreshtuar në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit të drejtuar nga SHBA-të. Partia Demokratike e Kosovës do të punojë si gjithmonë fuqishëm që lidhja jonë me SHBA-të dhe popullin amerikan të forcohet edhe më tutje, që së bashku të punojmë për përhapjen e demokracisë dhe forcimin e sigurisë e paqes në botë”.