13:23 / E Shtunë, 03 Korrik 2021 / OSH

Krasniqi: PDK në ADN-në e saj e ka UÇK-në

Kandidati për kryetar të PDK-së, Memli Krasniqi në fjalimin e tij para delegatëve të PDK-së falenderoi kryetarin në detyrë, Enver Hoxhaj për pjekurin e tij politike.

Krasniqi tha se PDK në ADN-në e saj e ka UÇK-në, transmeton indeksonline.

Pjesë nga fjalimi i Memli Krasniqit:

Nuk ka asnjë dyshim, se një prej faktorëve që na ka mbajtur së bashku dhe na ka inkurajuar që të mos ndalemi, pas nëntorit të kaluar, kur PDK u godit rëndë, ka qenë pjekuria politike e profës tonë, Kryetarit në detyrë, z. Enver Hoxhaj.

Ai meriton respektin tonë të thellë e të pamohueshëm për peshën që ka mbajtur mbi supe në këtë periudhë kaq të vështirë.

Meriton respektin tonë edhe për atë çfarë përfaqëson politikisht për PDK-në.

Një intelektual i përmasave evropiane. Një politikan i profilit të lartë. Një qeveritar i suksesshëm dhe një mik nga i cili kemi mësuar gjithmonë dhe vazhdojmë të mësojmë.

Nëse ka diçka për të cilën unë do t’ju kërkoja një duartrokitje të fortë, do ishte pikërisht për të nderuar profesorin Hoxhaj, i cili në momentet më të rënda – u doli përballë vështirësive dhe na inspiroi të qëndrojmë së bashku në sfida.

Respekt të pafund, profesor Hoxhaj.

E kishim vërtet për nder të jemi pas teje në këtë periudhë aspak të lehtë.

Të nderuar të pranishëm,

Unë qëndroj si kandidat para jush, duke besuar në ju, e duke kërkuar besimin tuaj.

Por, para se të vijmë aty, dua të përgjigjem në disa pyetje që na preokupojnë të gjithëve.

Kush është PDK-ja dhe çfarë PDK-je duam?

Partia Demokratike e Kosovës, në ADN-në dhe origjinën e saj e ka Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kauzën e saj të drejtë për liri e pavarësi.

Është krenari. Është dinjitet. Është identitet me të cilin jemi krenuar e duhet të krenohemi gjithmonë.

Partia Demokratike e Kosovës është parti e të gjithë njerëzve të Kosovës. E çlirimtarëve, veteranëve, mësuesve, profesorëve, mjekëve, intelektualëve, artistëve, sportistëve.

Është parti e grave dhe burrave, e të rejave e të rinjve.

E të gjithëve që punojnë dhe jetojnë ndershëm nga djersa dhe mundi i tyre.

Është parti që na takon të gjithëve, që vepron për të gjithë, e të gjithë së bashku brenda PDK-së punojmë për Kosovën që e kemi synuar e synojmë ta kemi.

Partia Demokratike e Kosovës është parti e ideve, kauzave dhe projekteve të mëdha dhe që mundëson realizimin e tyre.

Kjo ka qenë, është dhe do mbetet e tillë, si para meje, si me mua, si pas meje, pavarësisht se a jemi në pushtet a në opozitë, a jemi para zgjedhjeve a pas tyre.

Partia Demokratike e Kosovës është partia që ka bërë transformimin më të madh në historinë e Kosovës.

Bash asgjë e qëndrueshme, e madhe dhe e rëndësishme nuk ka ndodhur pa PDK-në.

Nëse ka pasur zhvillim, investim, arsim, e rritje të mirëqenies, kjo ka qenë periudha jonë në qeverisje nga 2008 deri në 2017.

Ky është rrëfimi ynë i vërtetë, dhe këtë e dinë qytetarët.

Nuk do të lejojmë që këtë rrëfim ta shtrembërojnë dhe ta errësojnë të tjerët, sepse është i qartë si drita. I matshëm, i prekshëm, real dhe diçka që e ka përjetuar dhe prekur secili.

Sot, për fat të keq, të gjitha këto arritje po rrezikohen me qëllim të keq, nga mentaliteti mohues dhe mosmirënjohjes i qeverisjes aktuale, duke e rrezikuar edhe vetë perspektivën e qytetarit dhe shtetit të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Se si duhet të operojë sot PDK, mbi këtë situatë politike, duhet të flasim hapur për disa gjëra, e të mendojmë nga e ardhmja.Ne sot jemi opozitë.

Kanë qenë edhe gabimet tona, që i kanë kontribuuar kësaj situate.

Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë krejt saktë disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre.

Reflektimi është i domosdoshëm. Nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje njejtë.

Në këtë pikë, besoj se pajtohemi të gjithë.

Kështu si jemi sot, nuk mjafton për t’u rikthyer. Por, ne qëllimin e kemi për t’u rikthyer.

Prandaj, është e nevojshme që të çlirojmë gjithë potencialin tonë të brendshëm, por edhe të hapemi. Duhet të hapemi. Duhet të shohim se cila është demografia politike e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që të rikthejmë besimin e tyre.

Na duhet ta rikthejmë mbështetjen e grave dhe të rinjve, që nuk e kemi si në të kaluarën.

Por, nuk kthehet mbështetja e tyre, dhe e asnjë kategorie tjetër shoqërore, nëse ne nuk jemi afër tyre, t’ua kuptojmë ambiciet, nevojat, pritjet, dhe zgjidhjet që u duhen.

Duket si diçka e vështirë, ama e pamundura për PDK-në nuk ekziston.

Veç na duhet unitet, vendosmëri e përkushtim që së bashku ta nisim një agjendë të tillë.

Prandaj, duhet të hapemi.

Dhe kur po flas për të rinjtë, nuk po flas vetëm për moshën.

Po flas për një kombinim gjeneratash, që më së afërti e kupton se çfarë drejtimi duhet të marrë PDK-ja, në mënyrë që të jetë adresa e parë për secilin qytetar.

Dhe hapja jonë është një prej shtyllave kryesore me të cilat unë mendoj të rrugëtoj në krye të PDK-së.

Së dyti, përveç ndryshimeve të nevojshme në strukturën e përfaqësimit të shoqërisë sonë, ne duhet të profilizohemi edhe në rrafshin ideor.

Qytetarët e Kosovës, mbështetësit dhe votuesit tanë, duhet ta mësojnë dhe kuptojnë drejt se kur të flasin për partinë e tyre, PDK-në, po flasin për një parti që angazhohet për mundësi të reja dhe të barabarta.

Për hapjen e mundësive për individin. Për familjen. Për Republikën.

Për zhvillimin ekonomik që administrohet nga qytetarët për interesin e tyre.

Për një trup politik shtetëror ku pushteti është i kufizuar, i ndarë dhe i kontrolluar nga ligji.

Ku barazia para ligjit është morali që i mban në këmbë institucionet tona.

Një parti që, mbi të gjitha, çmon vlerat dhe dinjitetin e njeriut. Që beson në barazinë e shanseve dhe lirinë e zgjedhjes.

Që angazhohet për një shtet që shërben e nuk shërbehet.

Për një shtet të drejtë – ku ligji është mundësi, e jo vetëm kufizim.

Ku zyrtari e qytetari u nënshtrohen rregullave të njëjta, e ku privilegji i pamerituar nuk ka vend.

Ku asnjë rajon, as qytet, as fshat, as lagje – nuk mbetet mbrapa nga mundësitë që krijon shoqëria jonë.

Dhe ku qytetarët, të rejat dhe të rinjtë, gratë dhe burrat, jo vetëm që kanë mundësi të zgjedhin e të zhvillojnë potencialin e tyre, por edhe të jetojnë shëndetshëm dhe të kenë jetë cilësore.

Për t’u rikthyer, nuk duhet të harrojmë kush jemi, por të transformohemi në atë që duam të bëhemi, në atë që do të na rikthejë si bindje politike te qytetarët e Kosovës.

Për t’i arritur këto, unë jam i vetëdijshëm se kemi shumë punë.

Por, unë besoj në PDK-në dhe në secilin prej jush.

Në ata që janë, e ata që do vijnë tani e tutje për të ndarë rrugëtimin bashkë me ne, drejt fitores.

Sot na duhet një front me i gjerë për betejën politike.

Nuk është koha që disa prej nesh t’i kemi nga dy e tri pozicione. Aty ku jemi, duhet ta japim maksimumin, dhe duke u bërë më shumë –  arrijmë suksese më shumë.

Na duhet të koncentrohemi që të bëjmë më të mirën, aty ku jemi, pa e pasur të domosdoshme që të jemi gjithkund.

Beteja kryesore sot është në Kuvendin e Kosovës. Andaj, në bindjet e mia, në vizionin tim, deputetët duhet ta kenë tërë vëmendjen dhe angazhimin e tyre vetëm në Kuvend, derisa Kryesia duhet të jetë trup ekzekutiv i përbërë nga zyrtarët e partisë që nuk kanë angazhime të tjera institucionale në këtë kohë.

Unë aspiroj ta ndërtoj një Kryesi të re, jo vetëm me njerëz të rinj, por edhe me ata që organikisht janë rritur në PDK.

Me vajza e djem të PDK-së, me të cilët kemi filluar shumë kohë më parë, e që sot janë gra dhe burra të gatshëm për të marrë përgjegjësi udhëheqëse.

Duhet ta formojmë edhe Kabinetin për Qeverisje të Mirë, për ta formësuar vizionin tonë për qeverisjen e ardhshme për një Kosovë më të mirë.

Vetëm duke e çliruar dhe mobilizuar gjithë potencialin që e kemi dhe duke i shtuar atij vlerë me njerëz që do na bashkohen, ne mund të rikthejmë PDK-në tek fitoret e mëdha.

Vetëm kështu dhe të gjithë së bashku do ta vëmë në lëvizje këtë projekt të ri politik, aq të nevojshëm për ne, por edhe për Kosovën.

Nëse e marr besimin tuaj, zotohem se nuk do të ju lëndoj e as anashkaloj, me qeëllim apo pa të. Unë besoj në meritokraci dhe në konkurrencë edhe brenda nesh.

Politika është e mirë kur ndryshon shoqërinë dhe jetërat e qytetarëve për të mirë. Por, shpesh ajo i ndryshon edhe politikanët. Unë do të mbetem i njejti. Do të vazhdoj të jem i hapur me secilin dhe bashkëpunues për të gjithe. Do të përpiqem fort të jem familjari i përkushtuar, shoku besnik dhe bashkëpunëtori korrekt. Për këtë e pres edhe ndihmën tuaj, në këtë rrugëtim të përbashkët.

Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë, së bashku për PDK-në e për Kosovën.

Ju falemnderit!