13:40 / E Premte, 16 Dhjetor 2022 / B O

Krasniqi për dënimin ndaj “Calit”: Shpresoj të korrigjohet në shkallën e dytë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dënimit të Salih Mustafës me 26 vite burgim nga Gjykata Speciale.

Krasniqi e ka quajtur të padrejtë vendimin duke thënë se mban shpresë që do të korrigjohet në shkallën e dytë.

“Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë” përfundoi i pari i PDK-së.

Statusi i plotë:

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme”. Këto fjalë të Salih Mustafës – Calit para trupit gjykues janë fjalët e secilit prej nesh që kemi përjetuar pushtimin e egër të Serbisë. Janë realiteti i historisë së Kosovës, të cilën asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshoj e ta rishkruaj.

Mbi një shekull pushtim, dhunë, agresion e mohim i çdo të drejte njerëzore, të përjetuara nga dhjetëra breza të popullit tonë, që kulmuan me gjenocidin e viteve 1998-1999, kanë qenë çmimi i lirisë që e kemi sot.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare.
Pjesë qendrore e kësaj historie krenare, të cilën nuk mund ta ndryshojë asnjëherë askush, janë çlirimtarët që po mbahen në Gjykatën Speciale pa të drejtë.

Dënimi i sotëm Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar. Ky vendim i sotëm, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë.