Krasniqi për orën policore: E panevojshme dhe e palogjikshme

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur i shqetësuar për numrin e të infektuarve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit në Kosovë.
Në seancën e jashtëzakonshme për pandeminë, ai tha ndërsa vendi është përfshirë nga një valë e re e pandemisë dhe kjo nuk po e shqetëson Qeverinë.
“Vetëm dje patëm 4 mijë 379 raste pozitive me virusin. Më 26 dhjetor kishim 12 mijë raste dhe për një muaj patëm rritje enorme për 36 mijë përqind. Kjo nënkupton që vendi ynë është përfshirë në valë të re të pandemisë, kjo është shqetësuese. Por shqetësim nuk po duket që ka për Qeverinë”.
“Askush nuk mund ta mohoj përpjekjen e punëtorëve shëndetësorë për ta kufizuar dëmin e pandemisë mbi shëndetin e qytetarëve, por qytetari ka rrugëtuar krejtësisht i vetëm përball kësaj pandemie. Ju keni bërë dy gabime themelore, ose keni hezituar për ta lexuar situatën ose e keni lexuar gabimisht. Kur hezitoni, nuk veproni në kohë, kur lexoni gabim, veproni në mënyrë kuturu. Çka ndodhi me masat, çfarë efekti dhanë masat?.Po shihet qartë efekti, është regresiv. Janë vendosur barriera lloj lloj për të pavaksinuarit, por atyre u janë nënshtruar edhe të vaksinuarit. Çfarë stimulon kjo? Nëse u themi qytetarëve vaksinohnu për ta mbrojtur shëndetin e në fund nuk i bën të dallueshëm prej të pavaksinuarve, atëherë stimulon mosvaksinimin”.
Krasniqi mes tjerash tha se ora policore është e panevojshme dhe e palogjikshme.
“Vendosja e masave për të hyrë në Kosovë me tri doza të vaksinës, në kohën kur në Kosovë vetëm 4 përqind e kanë marrë dozën e tretë, ju po i penalizoni shqiptarët. Kjo dëshmon një gjë, Qeveria jonë masat i ka ndërmarr nga impulsi i improvizimit”, tha Krasniqi.