20:18 / E Hënë, 29 Janar 2018 / indeksADMonline

Krasniqi: Numër i madh i automjeteve të vjetra për shkak të kufizimit të importit

Albert Krasniqi nga KDI i është gëzuar vendimit të Komunës së Prishtinës sa i përket lëvizjes së automjeteve në kryeqytet, për shkak të ndotjes së ajrit.

Sipas tij, rritjes së numrit të automjeteve të vjetra i ka kontribuuar heqja e kufizimit të importit për automjetet më të vjetra se 13 vjet, transmeton Indeksonline.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Mirë që po kufizohet qarkullimi i automjeteve në disa pjesë të Prishtinë.

Në Kosovë llogaritet të jenë rreth 340 mijë automjete, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre është 18 vite. Rritjes së numrit të automjeteve të vjetra i ka kontribuuar heqja e kufizimit të importit për automjetet më të vjetra se 13 vjet. Kjo u bë me arsyetimin se buxheti i varfër i shtetit do të përfitonte rreth 20 milion Euro. Tash, për një grusht parash dëmet që i kemi shkaktuar shëndetit tonë janë shumë më të mëdha sesa përfitimet.

Ky është çmimi që çdo ditë paguajmë kur në pushtet kemi politikanë pa vizion. Në mungesë të planeve për të rritur arkën e shtetit, e bëjnë këtë me vendime skandaloze. Të paktën mirë që masa kufizimit në import është rivendosuri.

Ndryshe, nënkryetar i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli  ka bërë me dije se që nga pasnesër do të bëhet ndalja e veturave nga futja në kryeqytet.

Ai ka bërë me dije se pasnesër në ora 06:00 do të nis plani për ndalimin e veturave nga futja në Prishtinë kjo për shkak të ndotjes së ajrit.