75 Mall Live Search
11:49 / E Martë, 14 Maj 2019 / indeksADMonline

Krasniqi: Seanca është thirrur për të bërë zhurmë, përgjegjësia për Telekomin nuk është e njëanshme

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar iniciativën e partive opozitare për seancën e jashtëzakonshme për gjendjen në Telekom.

Krasniqi beson se kjo seancë më shumë se për të gjetur zgjidhje për Telekomin është bërë për zhurmë.

Ai ka ftuar që komisioni hetimor të merret me këtë çështje, por edhe më gjerë.

“A deputetët e VV i kanë pas familjarët e tyre me meritë e këta deputetë me nepotizëm?. Unë jam për me bërë verifikim për krejt e madje të shohim kur po del. Komisioni hetimor mundet me u marr edhe me statistika, p.sh sa njerëz janë punuar kur kryeministër ka qenë Isa Mustafa e sa kur ka qenë Ramush Haradinaj. Ta shohim. A krejt problemet në Telekom janë bërë që 1 vjet e gjysme a. Jo bre problemet në telekom janë qe 15 vjet. Unë jam 100% për zbulimit të prapaskenave dhe të gjitha paraskenave”, ka thënë Krasniqi në Kuvend.

Deputeti i PDK-së, ka thënë se përgjegjësia nuk është e njëanshme ashtu sic pretendohet në këtë seancë.

Sipas tij, nëse shpëtohet Telekomi atëherë shpëtohet edhe Posta e Kosovës.

“Një prej aseteve më të rëndësishme ekonomike është Telekomi. A është përgjegjësia krejt e një anshme, krejt e thjeshtëzume qysh është duke u paraqit në këtë seancë, aspak nuk është. Për këtë arsye i kemi dhënë mbështetje komisionit hetimor. Shumë me rëndësi që ky komision me nxjerr konkluzione. Me shpëtuar Telekomin besa e shpëtojmë edhe posten që s’po e përmend askush pasi që ajo varet nga performanca e Telekomit . Absolutisht kam bindje të plota edhe kjo seancë nuk është bërë për me gjet naj zgjidhej ose është bërë për me bo zhurmë e për me bo tema, nëse dini me vërë diçka ta lajmë komisionin hetimor ku jemi të gjithë bashkë e pastaj të marrim hapat e tjerë”, ka përfunduar ai. /Indeksonline/