13:31 / E Martë, 14 Korrik 2020 / indeksADMonline

Krasniqi: Spitali i Vushtrrisë, së shpejti shndërrohet në spital “Covid-19”

Ushtruesi i detyrës i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, deklaroi se janë duke u zgjeruar kapacitetet spitalore për pranimin e pacientëve të prekur me COVID-19.

Krasniqi tha se nga dje është lëshuar një kat i Klinikës së Neurologjisë me kapacitet prej 60 shtretërish.

“Nga dje e kemi lëshuar një kat me kapacitet prej 60 shtretërish, Klinika Infektive dhe ajo e Pulmologjisë janë mbushur me pacientë”, deklaroi Krasniqi.

Ai gjithashtu tha se së shpejti Spitali i Komunës së Vushtrrisë, do të bëhet spital “COVID-19”, transmeton Indeksonline.

“Në Komitetin për menaxhimin e Covidit-19, në konsultim me kryeministrin së shpejti edhe Spitali i Vushtrrisë do të bëhet komplet spital “Covid-19”, ku do të pranohen pacientët e prekur me Covid. Pacientët e Komunës së Mitrovicës dhe ata të Vushtrrisë që janë të prekur, trajtimin do ta marrin në Vushtrri dhe ata që nuk kanë koronavirus shërbimet e tjera dhe trajtimet e tjera do t’i marrin në Mitrovicë”, ka thënë infektologu Valbon Krasniqi./Indeksonline/