75 Mall Live Search
12:30 / E Mërkurë, 19 Shkurt 2025 / H F

Krasniqi takohet me Prattipatin: Vendi ka nevojë për një qeveri të re, stabile dhe të përgjegjshme

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur në zyrë të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati.

Krasniqi ka bërë të ditur se me Prattipatin kanë diskutuar për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Në vazhdën e takimeve me misionet diplomatike në Kosovë, sot pata kënaqësinë të pres në selinë e PDK-së të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati. Një diskutim i hapur dhe pozitiv mbi zgjedhjet e 9 shkurtit, respektimin e vullnetit qytetar dhe përmbylljen e procesit në mënyrë demokratike – ashtu siç e meriton Kosova”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Kreu i PDK-së tha se vendi ka nevojë për një qeveri të re, stabile e të përgjegjshme.

Ai ka theksuar se SHBA-ja ka qenë dhe mbetet partneri strategjik i Kosovës, ndërsa e ka falënderuar të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane për mbështetjen që SHBA-ja vazhdimisht i jep Koosovës në çdo rrugëtim të saj.

“PDK-ja beson se vendi ka nevojë sa më shpejt për një qeveri të re, stabile dhe të përgjegjshme. Pavarësisht rrethanave politike, angazhimi ynë për të mirën e qytetarëve dhe forcimin e institucioneve të shtetit mbetet i palëkundur.

SHBA-ja ka qenë dhe mbetet partneri ynë strategjik. E falënderova zonjën Prattipati për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në çdo hap të rrugëtimit të saj”, ka shkruar Krasniqi.