75 Mall Live Search
15:33 / E Martë, 29 Mars 2022 / LB

Krasniqi takon ambasadorin Abbott, flasin për proceset integruese të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka njoftuar se gjatë këtij takimi është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, posaçërisht për proceset integruese të shtetit tonë.

“Ambasadorin Abbott e falënderova për përkushtimin e tij edhe personal për Kosovën dhe e sigurova që PDK, si lidere e opozitës në vend, gjithmonë do të jap kontributin e saj për proceset e interesit shtetëror. Kosova është me fat që në rrugën e fuqizimit të shtetësisë, krahas vetes ka aleat si Mbretëria e Bashkuar dhe ambasadori Abbott.”, shkruan kryetari i PDK-së.