Krasniqi takon Ferdonije Qerkezin: Janë disa personalitete para të cilëve mbetesh pa fjalë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ishte i pranishëm në ekspozitën e Artan Korenicës, në të cilën është shfaqur një film i shkurtër për jetën e Ferdonije Qerkezit, e cila në luftën e fundit ka humbur djemtë e saj dhe burrin.
Krasniqi ka thënë se janë disa personalitete si nënë Ferdonija, para të cilës mbetesh pa fjalë pasi që është e vështirë të përshkruhet dhimbja dhe sakrifica.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Mirë se vini në tavolinën e nanës Ferdonije!
Janë disa personalitete para të cilave mbetesh pa fjalë, jo sepse nuk ke, por të gjitha të duken të varfra për të përshkruar dhembjen, sakrificën, qëndresën, kurajon dhe jetën e tyre. Një e tillë është zonja jonë e hekurt, nana Ferdonije Qerkezi, e cila ka humbur katër djemtë dhe burrin e saj në luftën e fundit në Kosovë.

Edhe sonte, pata nderin që ta takoj në ekspozitën e Artan Korenicës, në të cilën u shfaq edhe një film i shkurtër për jetën e saj. “Mirë se vini në tavolinë” – është një ekspozitë e cila duhet të vizitohet nga të gjithë, që, të paktën për disa momente, secili të solidarizohet dhe të ndajë dhembjen me nanën Ferdonije dhe qindra familje të të pagjeturve të Kosovës.
Me këtë ekspozitë, Artan Korenica ka dëshmuar edhe një herë se është një nga artistët më të mirë dhe më origjinal që kemi. Faleminderit për të vërtetën dhe emocionet, Artan!
