22:45 / E Martë, 23 Janar 2018 / indeksADMonline

Krasniqi: Të ishte shqiptar në 81-tën ishte vërtet e vështirë!

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi ka folur sonte për arsimin në vend dhe rajon.

Ai në një status të gjatë në profilin e tij në Facebook ka shkruar se në Kosovë pas demonstratave të vitit 1981 nuk ndiqeshin vetëm njerëzit, por filloi fushata për ndalimin e librave të historisë, të letërsisë, të kulturës deri edhe mjetet mësimore që ishin sjellë nga Shqipëria.

Atë kohë, sipas tij, kërkohej që shqiptarët të diferencoheshin nga figurat historike të kombit, nga këngët, vallet e muzika ose kinematografia shqiptare.

Krasniqi tutje shkruan në Maqedoni e në Mal të Zi pas demonstratave paqësore të vitit 1981, të ishe shqiptar vërtet ishte vështirë, edhe më vështirë ishte të ishe punëtor i arsimit për lëndën e gjuhës shqipe, të historisë, të edukatës muzikore e të gjeografisë.

Ja postimi i Krasniqit:

DIFERENCIMIN E UDHËHOQI LIDHJA KOMUNISTE

Gjatë gjithë kohës së sundimit të Jugosllavisë së Avnojit, në Kosovë ka vazhduar në kontinuitet me baticat dhe zbaticat e saj politik a e ndjekjes, e burgimit, e vrasjeve dhe e diferencimit. Diferencimi pas ngjarjeve të vitit 1981 është shtrirë në të gjitha shtresat e popullit shqiptar.

Pas demonstratave të pranverës së vitit 1981, gjithnjë nën presionin e udhëheqjes jugosllave e veçanërisht serbe, diferencimin, në radhë të parë e kërkuan anëtarët e LK të Kosovës. Në emër të diferencimit në punë, në angazhime politike, pastaj, gjoja për neglizhencë e oportunizëm politik të anëtarit të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, ai proces famkeq i diferencimit, në fakt i ekskomunikimit politik dhe qytetar u shtri deri të nxënësit e shkollave fillore, madje edhe në radhët e familjeve të fshatit e të qytetit.

Për këtë fenomen është shkruar mjaft në shtypin e kohës. Psh. “Zëri i rinisë” citonte Ali Shukriun, udhëheqësin e Kosovës sipas të cilit: “Të gjitha këto tregojnë së në luftën për një diferencim sa më konsekuent për zbulimin e elementëve armiqësore dhe të organizatorëve të aksioneve armiqësore si dhe izolimin e tyre” .

Askush në Kosovë nuk duhej të mashtrohej se me gjykimin që u kemi bërë demonstratave dhe organizatorëve të tyre kemi mundur armikun e klasës. Në mbledhjen e 18-të të KK të LK të Kosovës, të mbajtur dy muaj pas demonstratave të prillit, në diskutimet e tyre anëtarët e KK të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës nuk ishin të kënaqur me aktivitetin e komunistëve në luftë kundër forcave “armike” e “kundërrevolucionare”, “irredentiste” etj.

Kjo gjithnjë sipas tyre ishte për faktin se kishte shumë “mosdije, luhatje, pasivitet madje edhe oportunizëm” . Sipas një raporti, deri më 25 – 30 maj 1981 për aktivitetin e tyre “armiqësor” ishin dënuar 489 persona për kundërvajtje, për pjesëmarrje në demonstrata 287, për përkrahje të demonstratave 32, për përkrahjen e organizimit të demonstratave 31, për shkrimin e parullave 36, për paraqitje publike armiqësore, 103 persona, kurse për 126 ishte vazhduar procedura hetimore.

Mënyra se si është bërë ndarja e veprave ka pasur për qëllim që numri mos të ishte katërshifror. Përkundër kësaj, këtu nuk jepej numri i atyre që mbaheshin të burgosur pa asnjë dokument. Në shkolla dhe fakultete të Universitetit të Prishtinës ishin marrë edhe masa tjera diferencimi ndaj studentëve, nxënësve dhe punëtorëve të arsimit.

Nga fakultetet ishin përjashtuar 19 studentë dhe 282 nxënës, u ishte ndërprerë bursa 74 studentëve dhe 30 nxënësve, nga puna ishin përjashtuar 189 punëtorë, 109 prej tyre ishin punëtorë të arsimit, kurse nuk jepej numri i atyre që ishin përjashtuar nga konviktet e internatet si edhe ishin marrë shumë masa tjera administrative.

Diferencimi kishte filluar në radhët e anëtarëve të LK ( Lidhja e Komunistëve ), LRS( Lidhja e Rinisë Socialiste ), LSPP ( Lidhja Socialiste e Popullit Punues) e kishin shkuar deri të izolimi i familjeve të caktuara. Natyrisht, kushdo që guxonte të shkonte në familjet e izoluara edhe ai do të merrte dënime të ndryshme diferencimi e izolimi. Të gjitha këto masa kishin për qëllim mohimin e të gjitha të drejtave për punë, për mësim, për studim deri edhe për jetë të lirë e të dinjitetshme.

Edhe pse masat e diferencimit e të izolimit ishin më të thella se sa paraqiteshin në publik, bartësit kryesorë të këtij aktiviteti vazhdonin të mos ishin të kënaqur për masat e dënimit, të diferencimit e të izolimit, pasi dënimet kundër organizatorëve, nxitësve ose pjesëmarrësve po shkonin ngadalë, se nuk kishte vendosmëri e orientim të qartë dhe se kështu nuk do të stabilizohej gjendja e krijuar pas demonstratave.

“Rilindja” e 11 korrikut 1981 kishte plot artikuj për diferencimin në radhët e LK dhe hasim në kësi titujsh: “ Për diferencim në çdo nivel”. “Diferencimi duhet t’i nxjerrë në shesh edhe ata që heshtin” etj. Kjo do të thoshte se nuk mund të ishte anëtar i LKJ, (kjo vlente veçmas për shqiptarët), ai që nuk flet kundër “kundërrevolucionit”, “irredentizmit”, “nacionalizmit” etj.

Ndërsa Fadil Hoxha, në mbledhjet e gjata, sipas stenogrameve të botuara në vitin 2006, për diferencimin kishte thënë: “… duhet të diferencohemi edhe ne komunistët edhe atë të diferencohemi seriozisht, sepse neve na ka hyrë çdokush në parti” .

Kjo do të thoshte se udhëheqja kosovare e kishte humbur besimin edhe te “elita” e komunistëve. Aksionin për diferencimet në Universitetin e Prishtinës e filloi Ali Shukriu në Mbledhjen e XX të KQ të LK të Jugosllavisë. Ai deklaronte se Universiteti i Prishtinës, edhe pse është i treti në vend “ nuk ka punuar në mënyrë kritike dhe me plan” . Në disa tekste shkollore vazhdonte ai, nuk ka përmbajtje të mjaftueshme për vlerat shpirtërore të krijuara gjatë historisë së përbashkët të kombeve e kombësive të Jugosllavisë.

I thoshte këto Ali Shukriu, njëri nga eksponentët më agresiv të politikës serbe/ jugosllave për të dalë atje ku i dhimbset më shume, te historia jonë, të tekstet e letërsisë, të interpretimi i ngjarjeve dhe i figurave të historisë sonë kombëtare, të “historizmi”, “nacionalizmi” dhe të “romantizmi” shqiptar. I mjeri e kishte hallin për veti, sepse askund nuk mund të gjente emrin e tij. Pas kësaj ai do të vazhdonte më avazin tani të njohur “ që të thellohej lufta ideopolitike në Universitet e në shkolla tjera kundër çdo lloj nacionalizmi, por para se gjithash kundër “nacionalizmit” e “irredentizmit” shqiptar.

Kësaj teme do t’i qaset edhe kryetari i Serbisë, Dobrivoje Vidiq, i cili në një formë më të “butë”, por mjaft kërcënuese do të thotë: “… disa mësues e profesorë, manipuluan në mënyrë më jonjerëzore me rininë shqiptare (veni re, J,K.), sepse nuk kanë parasysh interesin e popullit shqiptar as ardhmërinë e rinisë shqiptare” . Vidiqi kishte një “kujdes” të veçantë për shqiptarët?!

Shtypi i Lëvizjes Kombëtare i gushtit 1981 njofton se në 30 procese gjyqësore ishin dënuar deri në 15 vjet 245 persona. Mesatarja e të dënimeve ishte 8 vjet, që do të thotë të dënuarit kishin marrë mbi 2000 vjet burg. Në këtë numër nuk hynin 600 personat e tjerë të dënuar gjoja për kundërvajtje si dhe numri i atyre që prisnin të dalin para gjykatave komuniste .

Me mijëra ishin të arrestuar dhe mbaheshin në burgjet hetuese, pa vendime gjyqi, për ta nuk dinte askush veç sigurimit të fshehtë të shtetit (UDB-ës). Gazeta gjermane “ Frankfurter Algemajne” e 27 prillit 1981 shkruan: “Turbullirat në Kosovë ishin më të ashpra dhe u bënë në përmasë më të madhe sesa jepen zyrtarisht” .

Edhe shtypi botëror, kishte ardhur në përfundim, se udhëheqja serbe e jugosllave nuk po e merrnin parasysh realitetin e krijuar në Kosovë, ata nuk i besonin popullit shqiptar prandaj situata veç sa mund të përkeqësohej . Udhëheqja jugosllave në Kosovë ka sjellë 30 mijë policë e ushtarë të rinj, shkruan shtypi gjermano perëndimor, meqë forcat lokale nuk ishin të besueshme për udhëheqjen serbe e jugosllave. Shtimin e forcave policore dhe ushtarake e konfirmonte edhe gazeta amerikane “Nju-Jork Tajms”: “Jugosllavia shton policinë në Provincën e turbulluar shqiptare” .

Ndërsa gazeta frënge: “Le Kotidien Rome Alpe”, në artikullin me titull ”Një shtypje policore intensive në Kosovë”, shkruante: “ Në Kosovë qeveria jugosllave sillet si pushtues që bën ç’është e mundur për të mbajtur në nënshtrim popullsinë shqiptare” . Demonstratat që fillimisht ishin nisur për kushtet e studentëve tani janë shtrirë shumë, kjo kishte bërë që të zhvillohen përleshje të ashpra me policinë.

Nga LK e Kosovës, thuhet në gazetë, janë përjashtuar 442 anëtarë, pse nuk i kanë kundërshtuar demonstruesit, rreth 200 drejtues, prej tyre drejtues të PK të Krahinës, përgjegjës të forcave të sigurisë, të shkollave, janë burgosur 1700 persona, 154 pritet të gjykohen përfundon gazeta.

Në Kosovë pas demonstratave të vitit 1981 nuk ndiqeshin vetëm njerëzit, por filloi fushata për ndalimin e librave të historisë, të letërsisë, të kulturës deri edhe mjetet mësimore që ishin sjellë nga Shqipëria. Kërkohej që shqiptarët të diferencoheshin nga figurat historike të kombit, nga këngët, vallet e muzika ose kinematografia shqiptare.

Kjo e shtyri Viktor Meierin të thoshte se shiritat e magnetofonit, librat shkollorë po shpallen si “rrezik shtetëror” edhe pse ishin vetëm këngë popullore, ndërsa libri shkollor ishte kontrolluar me imtësi të rreptë. Kundër ndërgjegjes kulturore të shqiptarëve të cilët ishin “rreziku kryesor i shtetit” u bisedua edhe në KQ të LK të Serbisë. Ishte e qartë, politika serbe nuk ishte e interesuar të gjente zgjidhje të pranueshme për popullin shqiptare të Kosovës.

Ajo, ngadalë por sigurt po e përgatiste opinionin publik serb për “rrezikun” që gjoja u vinte nga shqiptarët, që në një moment serbët të hidheshin mbi shqiptarët, për dëbimin dhe shfarosjen e tyre. Gazeta italiane “Koriere della sera” më 22 qershor 1981 për diferencimin do të shkruajë: “ Jugosllavët flasin për një ‘proces diferencimi’.

Është një ndërmarrje pothuajse e pamundshme të bësh diferencim midis një milion e gjysmë kosovarëve shqiptarë që tashmë kërkojnë republikë autonome të vetën…Studentët universitarë dhe gjimnazistët janë dërguar në shtëpi para kohe…Disa fakultete të Universitetit të Prishtinës janë duke u transferuar në lokalitetet e tjera dhe numri i të regjistruarve në vjeshtë do të jetë kështu i zvogëluar 19% në krahasim me atë të vitit akademik që mbaroi, por të gjithë studentët do t’i nënshtrohen një ‘provimi kualifikimi politik’” .

Shovinistët, serbë, maqedonë dhe malazezë, zhurmën që bëhej në Jugosllavi kundër, “kundërrevolucionit”, “nacionalizmit”, irredentizmit” shqiptar e shfrytëzuan për një fushatë të egër nacionaliste kundër çdo gjëje shqiptare në mënyrën më tinzare. Përveç historisë, letërsisë, traditës kulturore në shënjestër u vu arsimi shqip. Për këtë ata me kohë e kishin përgatitur terrenin, pasi Universiteti i Prishtinës ishte shpallur “çerdhe e nacionalizmit” shqiptar.

Sulmi mbi arsimin shqip, sigurisht që kishte filluar në Kosovë, por, gjendja më e rëndë në këtë segment të jetës do të ishte arsimi shqip në Maqedoni e në Mal të Zi. Po shfrytëzoheshin këto dy Republika të RSFJ për eksperiment për faktin se edhe para “kundërrevolucionit” kishin qenë në gjendje mjaft të vështirë. Në këto dy republika jugosllave edhe më herët nuk janë lejuar të përdoreshin librat shqip që ishin botuar madje në Prishtinë.

Ndërsa më shumë se 50% të semimaturantëve mbeteshin pa u regjistruar në shkollat e mesme. Këto veprime të egra antishqiptare e kishin shtyrë veprimtarin e shquar, e të pa lodhurin Kadri Zeka, t’u drejtohet me një letër punëtorëve tanë në botën e jashtme, ku në mes të tjerave shkruan: “… Po sulmohen e po fyhen heronjtë e simbolet tona kombëtare, kultura e traditat tona, po bëhen përpjekje për të na i rrëmbyer edhe ato pak të drejta që i kishim fituar me gjak pas vitit 1968” .

Në Maqedoni e në Mal të Zi pas demonstratave paqësore të vitit 1981, të ishe shqiptar vërtet ishte vështirë, edhe më vështirë ishte të ishe punëtor i arsimit për lëndën e gjuhës shqipe, të historisë, të edukatës muzikore e të gjeografisë. Edhe në Kosovë gjendja në këto segmente të jetës nuk ishte e lehtë, por nuk ishte në këto përmasa. Këto masa ishin paralajmërim se për shqiptarët do të vinin ditë të vështira, natyrisht as arsimi shqip nuk mund të priste ditë më të mira.

Për përmasat që kishte marrë “diferencimi” i shqiptarëve në Kosove e vise tjera shqiptare në Jugosllavi, edhe Tirana zyrtare shprehte shqetësimin. Enver Hoxha thoshte: “Tash po zhvillohet në gjerësi “diferencimi”, që do të thotë spiunimi i shqiptarëve nga shqiptarët në favor të forcave te errësirës serbe, Por kosovarët nuk do ta pranojnë këtë rrugë të turpit, mbasi kjo çon në vëllavrasje, kurse serbomëdhenjtë do të qeshin e do të fërkojnë duart” .

Jo, populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve tjera në Jugosllavi kishte zgjedhur rrugën e bashkimit në luftën për liri, duke qenë i bindur se pas fitores do të jetonte i lirë, me dinjitet dhe i pavarur në shtetin dhe në tokën e tij të begatshme.