75 Mall Live Search
17:57 / E Mërkurë, 15 Tetor 2025 / F.R

Krasniqi për Lladrovcin: Për ne më e rëndësishme është qytetari i Drenasit sesa individët apo ambiciet e kujtdo qoftë

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media u shpreh se rezultati final është se PDK i ka votat për asamble në Drenas.

Në pyetjen e gazetarëve se a ka qenë gabim moskandidimi i Ramiz Lladrovcit nga PDK për kryetar komune të Drenasit, ai tha se qytetarët janë me rëndësi dhe jo individi.

“E para, vendimet që i merr një parti politike bazohen në statut, në rregulla të cilat secila parti i miraton për vete, dhe ne kemi marrë vendime të tilla për secilin kandidat. Nuk kemi fituar gjithkund, kështu që e njëjta pyetje mund të shtrohet për çdo komunë në të cilën ne nuk kemi fituar. Është i rëndësishëm rezultati final, dhe ky rezultat tregon se Partia Demokratike e Kosovës aktualisht prin, sepse votat për asamble kanë përfunduar dhe ne jemi të parët. Për mua kjo është shumë e rëndësishme, sidomos në kontekstin aktual politik, meqë presim që zgjedhjet parlamentare, sipas të gjitha gjasave, të mbahen para vitit të ri.

E dyta, me sa kam kuptuar, Lladrovci do të kthehet në zyrat ku ka qenë më herët, por zyrat janë aty ku është kryesia legjitime e partisë. Unë mendoj se gara atje ka përfunduar, fokusi ynë tani është në balotazh. Normalisht që do ta trajtojmë situatën pasi të përfundojë ky proces zgjedhor, sepse në fund për ne më e rëndësishme është qytetari i Drenasit sesa individët apo ambiciet e kujtdo qoftë”, u shpreh Krasniqi.