11:17 / E Premte, 18 Janar 2019 / indeksADMonline

Kredi e BERZH për Bankën ProCredit në Kosovë për mbështetjen e bizneseve

Një linjë kreditore prej €20 milionë do të kombinohet me grantet e BE-së           

• BERZH i jep €20 milionë kredi Bankës ProCredit në Kosovë për huadhënie NVM-ve lokale

• Bizneset e vogla po ashtu do të marrin grante të financuara nga nga IPA e BE-së, e menaxhuar nga EUO/EUSR në Kosovë

• Kredia jepet në kuadër të Programit për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së NVM-ve në Kosovë që synon të ndihmojë NVM-të në arritjen e standardeve të BE-së

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) në Kosovë do të jenë në gjendje të përmirësojnë konkurrueshmërinë e tyre me ndihmën e pakos financiare që i është dhënë Bankës ProCredit në Kosovë nga BERZH dhe BE.

Kjo pako kombinon kredinë e BERZH prej €20 milionë me grantet për investime që jepen nga BE në kuadër të Instrumentit I për Asistencë Para-Anëtarësimit, nga programi rajonal për Zhvillimin e Ndërmarrjeve dhe Inovacionit në Ballkanin Perëndimor si dhe Fondit të Veçantë të Aksionarëve të BERZH-it.

NVM-të përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë së Kosovës. Ato po ashtu janë segment kyç i tregut për Bankën ProCredit në Kosovë, e themeluar në vitin 1999 dhe udhëheqëse e tregut sot. Ata që marrin kredi në kuadër të këtij programi do të kenë mundësi të investojnë në përmirësimin e linjave të tyre të prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve, mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë e punëtorëve në përputhje me standardet e BE-së.

Përkundër pozitës së tyre dominuese në ekonominë e Kosovës, bizneset e vogla lokale shpesh vuajnë nga mungesa e konkurrueshmërisë dhe e qasjes në financa. Kjo po adresohet nga Programi i BERZH-it për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së NVM-ve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të të cilit po jepet ky financim për Bankën Procredit në Kosovë. Një kombinim i financimit afatgjatë, asistencës teknike dhe stimulimit të investimeve përbëjnë pakon e dizajnuar që të ndihmojë në shfaqjen e potencialit të plotë të NVM-ve të vendit.

“Nënshkrimi i kontratës së sotme reflekton parimet dhe zotimin e përbashkët të dy institucioneve për promovimin e rritjes ekonomike dhe punësimit duke mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë” tha Ilir Aliu, Kryeshef Ekzekutiv i Bankës Procredit në Kosovë.

Banka është ofruesi kryesor i financimit për NVM-të në Kosovë dhe është duke parë një rritje të kërkesës për shërbimet e saj kredituese. Ajo është plotësisht në pronësi të ProCredit Holding AG & Co KGaA, kompanisë amë të grupit Procredit që është i orientuar drejt zhvillimit, i cili përbëhet nga bankat komerciale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) fokusi operativ i të cilave është në Evropën Juglindore dhe Lindore.

Zsuzsanna Hargitai, Drejtoreshë Rajonale e BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, shtoi: “Ne jemi shumë të kënaqur që po nënshkruajmë këtë marrëveshje të re me Bankën Procredit në Kosovë, partnere afatgjate e ekonomisë lokale. Ne besojmë se kombinimi i kredive komerciale me grante do të përmirësojë qasjen e bizneseve të vogla në financa që është shumë e nevojshme. Kjo do t’i jap një shtytje përmirësimit të mëtejmë të performancës së tyre.”

Luigi Brusa, Udhëheqës i Seksionit për Bashkëpunim, BE/PSBE në Kosovë shtoi: “Jam shumë i lumtur t’ju njoftoj për një mundësi krejtësisht të re të bashkëpunimit për NVM-të e Kosovës në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA). BE është dhe do të vazhdojë të jetë donatori, investitori dhe partneri më i madh tregtar në Kosovë. Për momentin janë dy programe të financuara nga BE me një shumë totale prej €10 milionë që synojnë të mbështesin NVM-të që të rrisin dhe përmirësojnë kapacitetet e tyre prodhuese, të përmirësojnë proceset dhe cilësinë e produkteve.”

BERZH filloi të investojë në Kosovë në vitin 1999. Deri më sot, Banka ka nënshkruar 63 projekte në vend me një vëllim kumulativ të biznesit prej €362 milionë. Kosova është bërë anëtare e BERZH-it dhe vend i operacioneve në dhjetor 2012.