Krejt çka ndodhi dje në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së?
Në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dje është konfirmuar si kryetar pas një fitoreje me diferencë prej rreth 30 votash.
Abidixhiku deklaroi se nuk ka arsye për triumf, por për vetëdije dhe maturi, duke theksuar nevojën për bashkim dhe punë të përbashkët.
“Sot nuk kemi arsye për triumf, por për vetëdije. Krenarë për standardin që ruajtëm dhe për vlerën që përfaqësojmë. Tani na duhet maturi. Bashkim jo nga nevoja, por nga bindja. Dëgjim jo për formë, por për kuptim. Punë e madhe, e përbashkët, me përulësinë që e ka mbajtur gjithmonë LDK-në në këmbë në momentet më të vështira të saj.”
Ai ka ftuar të gjithë anëtarët e LDK-së, përfshirë ata që nuk janë të kënaqur me udhëheqjen e tij, që të bashkohen për qëllimet e përbashkëta të partisë.
“Rruga përpara e LDK-së ka emër rimëkëmbje. Rimëkëmbja nuk bëhet me natyrën e fituesit apo humbësit, por me përafrimin e të gjithëve. Të gjithëve ju bëj thirrje, edhe të kënaqurve me mua por edhe ata sidomos që nuk ishin të kënaqur me mua të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë. Mbështetja e sotme është privilegj dhe përgjegjësi, por mbi të gjitha barrë për rrugën që ka përpara LDK-ja. Një element bazik i këtij kuvendi dhe deklarate, është formimi i kryesisë së re të LDK’së, pra unë e pata procesin e votimit, edhe kryesia e re do të ketë procesin e votimit të njëjtë. Demokracia maksimale kështu do të bëhet. Mbi këtë proces na duhet kohezion i plotë, edhe anëtarësisë, kryesisë së LDK, edhe i grupit parlamentar’”, theksoi Abdixhiku.
Pavarësisht fitores, Abdixhiku është kritikuar nga figura të rëndësishme të partisë, përfshirë Hykmete Bajramin, e cila dha dorëheqje nga pozita e nënkryetares.
LDK, që doli e treta në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka siguruar vetëm 15 ulëse në Kuvendin e ri.

