75 Mall Live Search
18:23 / E Hënë, 24 Nëntor 2025 / BA

Kremlini: Propozimi evropian për paqen në Ukrainë nuk funksionon për Rusinë

Kremlini tha të hënën se një kundërpropozim evropian ndaj një plani paqeje prej 28 pikash të SHBA-së për Ukrainën nuk ishte konstruktiv dhe se thjesht “nuk funksiononte për Moskën”.

Publikimi i draftit të planit të paqes prej 28 pikash të SHBA-së javën e kaluar thelloi shqetësimet në Ukrainë dhe midis fuqive evropiane se kërkesat thelbësore të Rusisë ndaj NATO-s, territorit dhe kronologjisë së çdo marrëveshjeje paqeje ishin pranuar nga Uashingtoni.

Por një plan evropian ndryshon ndjeshëm kuptimin dhe rëndësinë e pikave kyçe mbi NATO-n dhe territorin.

Andaj, “plani evropian, në shikim të parë… është plotësisht jokonstruktiv dhe nuk funksionon për ne”, u tha gazetarëve në Moskë ndihmësi i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov.

Presidenti Vladimir Putin theksoi të premten se propozimet e SHBA-së për paqe në Ukrainë mund të jenë baza e një zgjidhjeje të konfliktit, por nëse Kievi e refuzonte planin, atëherë forcat ruse do të përparonin më tej.

Ushakov tha se “jo të gjitha, por shumë dispozita të këtij plani (SHBA) na duken mjaft të pranueshme”. Ai shtoi se megjithatë, disa do të kërkonin diskutim më të detajuar.

Kujtojmë se sipas raportimeve të mediave botërore, vendet evropiane kanë përgatitur një plan alternativ paqeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, i cili ndryshon ndjeshëm nga plani i propozuar nga administrata e Donald Trump. Siç theksohet më tej, plani evropian i paqes përputhet shumë më ngushtë me interesat e Ukrainës dhe nuk përfshin lëshime ndaj Rusisë që janë të pranishme në versionin amerikan.

Në veçanti, propozimi evropian nuk kufizon madhësinë e Forcave të Armatosura të Ukrainës, nuk ndalon anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe deklaron në mënyrë të qartë se Kievi nuk do të detyrohet të miratojë një status neutral.

Ukraina gjithashtu do të jetë në gjendje, sipas gjykimit të saj, të ftojë “forca miqësore” në territorin e saj – duke përfshirë trupa nga Koalicioni i të Gatshmëve.

Për më tepër, dokumenti evropian parashikon: një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar, që do të monitorohet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane; garanci sigurie ligjërisht të detyrueshme për Ukrainën, përfshirë nga Shtetet e Bashkuara, të modeluara sipas Nenit 5 të NATO-s; asnjë lëshim territorial – çështjet kufitare do të diskutohen pas armëpushimit; kthimi i kontrollit mbi Centralin Bërthamor të Zaporizhzhisë dhe digën Kakhovka në Kiev; restaurimi i plotë dhe kompensimi për dëmet, duke përfshirë edhe përdorimin e aseteve të ngrira ruse; mundësia e vendosjes automatike të sanksioneve ndaj Rusisë në rast të shkeljes së kushteve të paqes.