Kremlini reagon pas sulmit në Kiev: Jemi ende të interesuar në negociata, por operacioni special ushtarak vazhdon

Kremlini është rikthyer me deklarata pas sulmeve ruse që ndodhën në Kiev gjatë natës së kaluar.
Sipas zyrtarëve ukrainas, të paktën 15 persona, përfshirë një fëmijë 2-vjeçar, u vranë në bombardimet. Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë tashmë se sulmet synojnë vetëm objektiva ushtarake, me Kremlinin që e përsërit këtë qëndrim.
Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia mbetet e interesuar në negociata për të arritur qëllimet e saj.
“Operacioni special ushtarak vazhdon”, tha ai, duke iu referuar pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, i cili filloi në shkurt 2022.
“Ju e shihni që sulmet ndaj infrastrukturës ruse vazhdojnë dhe shpesh infrastruktura civile në Rusi është në shënjestër të regjimit të Kievit”, tha Peskov.
“Në të njëjtën kohë, Rusia do të ruajë interesin e saj për të vazhduar procesin e negociatave në mënyrë që të arrijë qëllimet që kemi vendosur përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me perspektivën e një armëpushimi, ai tha se çdo propozim që mund të kontribuojë në paqe duhet të diskutohet “me diskrecion”.
“Nuk janë arritur marrëveshje për këtë çështje”, tha ai.
“E përsëris, çdo gjë që mund të diskutohet në kontekstin e gjetjes së mënyrave për të ecur drejt një zgjidhjeje duhet të diskutohet me diskrecion”, përfundoi Peskov.