75 Mall Live Search
08:36 / E Martë, 10 Tetor 2017 / indeksADMonline

Krerët e shtetit nuk konfirmojnë pjesëmarrjen në Paradën e Krenarisë

Prej orës 11: 30 në sheshin “Skënderbeu” sot do të fillojë Parada “Në emër të dashnisë”.

Sipas organizatorëve mesazhi dhe qëllimi i paradës më së shumti i drejtohet personave të komunitetit LGBT që nuk mund të jenë prezent në Paradë sot.

Pjesëmarrjen në Paradë e kanë konfirmuar shumica e ambasadorëve të shteteve perëndimore, por jo dhe përfaqsësues të institucioneve të Kosovës.

Liridon Veliu aktivistë për të drejtat e njeriut nga organizata “Centre for Equality and Liberty” ka thënë për zërin se përveç Ministrisë së Drejtësisë, askush nga përfaqësuesit e shtetit nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në Paradën e Krenarisë.

Mirëpo, sipas tij shumica e ambasadorëve të shteteve perëndimore e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Paradë.

“Ende jemi duke pritur konfirmimin dhe pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe të Presidentit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Veliu.

Për herë të parë Parada mbahet publikisht

Në tri vitet e kaluara, ai tha tri organizatat që punojnë për të drejtat e komunitetit LGBT kanë mbajtur marshin për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë(International Day Against Homophobia and Transphobia – IDAHOT) me 17 Maj.

Mirëpo në këto marshe, ai tha se nuk janë bërë publike data dhe ora e mbajtjes.

“Këtë vit organizatat për komunitetin LGBT dhe disa organizata tjera kanë vendosur që edhe organizatat edhe komuniteti LGBT janë gati të shkojnë një hap më tutje duke organizuar Paradën e parë të Krenarisë. Ky është viti i parë që Parada organizohet dhe që është bërë publike”, ka thënë Veliu.

Forca të sigurisë më të shtuara sesa vitet e kaluara

Edhe në tre marshet që janë organizuar për IDAHOT me 17 Maj në vitet e kaluara, ai tha se organizatat gjithmonë kanë punuar ngushtë me Policinë e Kosovës në mënyrë që këto marshe të kalojnë pa ndonjë incident.

“Edhe këtë vit për Paradën e parë të Krenarisë kemi kontaktuar Policinë dhe po punojmë ngushtë me ta, pasi që është vlerësuar edhe nga ne si organizatorë edhe nga Policia e Kosovës që duhet të ketë siguri më të shtuar se vitet e kaluara gjatë kësaj Parade, për shkak që këtë vit data dhe ora e aktivitetit janë bërë publike”, ka thënë Veliu për gazetën.

Veliu ka thënë se  disa tragete tjera kyçe që lidhen drejtpërdrejt me komunitetin LGBT janë Qeveria e Kosovës dhe popullata e gjerë.

Kërkesat drejtuar institucioneve, ai tha se do të orientohen më së shumti tek Ministria e Arsimit që ta largoj gjuhën homofobike nga tekstet shkollore dhe universitare, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të ofroj shërbime adekuate për personat LGBTI, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që të ofrojnë shërbime adekuate për personat LGBT, e sidomos për personat Transgjinor.