75 Mall Live Search
16:10 / E Martë, 04 Nëntor 2025 / F.R

Kreu i OKB-së: Lufta në Sudan ka dalë jashtë kontrollit

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres paralajmëroi se lufta në Sudan “ka dalë jashtë kontrollit”.

Në fjalimin e tij në Samitin e OKB-së në Katar, Guterres foli për zhvillimet në Sudan, i cili ndodhet në Afrikën verilindore. Duke vënë në dukje se qyteti Al-Fasher në rajonin e Darfurit ka rënë nën kontrollin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Guterres tha se lufta në rajon “ka dalë jashtë kontrollit”.

Ai e përshkroi situatën në rajon si “një nga krizat më të këqija humanitare në botë” dhe u bëri thirrje palëve në konflikt për “armëpushim të menjëhershëm”.

Duke vënë në dukje se po marrin raportime të vazhdueshme për shkelje të të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar, Guterres tha se “Qindra mijëra civilë janë nën këtë rrethim. Njerëzit po vdesin nga kequshqyerja, sëmundjet dhe dhuna”.

“Moslejimi i hyrjes së armëve” domosdoshmëri

Guterres, duke vlerësuar rolin e mundshëm që paqeruajtësit ndërkombëtarë mund të luajnë në Sudan, tha se është e rëndësishme të “bashkohet i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe të gjithë ata që kanë ndikim në Sudan për të ndaluar luftën”.

“Ne padyshim kemi nevojë për armëpushim në Sudan. Ne duhet ta ndalojmë këtë masakër të patolerueshme. Një nga elementët e domosdoshëm për të ndaluar luftën është të sigurohemi të mos hyjnë më armë në Sudan. Ne duhet të krijojmë mekanizma llogaridhënieje për shkak se krimet e kryera janë shumë të tmerrshme”, tha Guterres.

Konflikti në Sudan dhe shkeljet nga forcat e RSF-së

Sudani që nga 15 prilli 2023 ka qenë skenë e konfliktit të dhunshëm midis ushtrisë dhe RSF-së me mbështetje të huaj. El-Fasher, qyteti më i madh në rajonin e Darfurit në perëndim të vendit, ra nën kontrollin e RSF-së pas luftimeve të ashpra.

Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga qyteti për shkak të luftimeve ndërsa në videot e shpërndara nga anëtarët e RSF-së janë paraqitur momente ku RSF-ja zhvendos me forcë civilët dhe vret e torturon shumë njerëz të paarmatosur.