75 Mall Live Search
08:22 / E Mërkurë, 25 Shtator 2019 / indeksADMonline

Kreu i Zubin-Potokut: Me ose pa tabelë, këtu është Serbi

Kryetari i Zubin-Potokut, Serxhan Vulloviq, i njohur me deklaratat provokuese për shqiptarët, ka porositur serbët që të mos bien pre e provokimeve, sepse me tabela ose pa tabela, këtu është Serbi. Tabela me mbishkrimin: “Republika Srbija, APK Kosovo i Metohija – Opstina Zubin- Potok” ishte vendosur në afërsi të Zubin- Potokut. Tabela me përmbajtje të njëjtë janë vendosur në ndërtesat e komunave veriore, në institucione shkollore e shëndetësore

Largimi i tabelës së vendosur nga serbët në hyrje të Zubin- Potokut, në afërsi të vendkalimit në Bërnjak me mbishkrimin “Republika Srbija, APK Kosovo i Metohija – Opstina Zubin Potok” (Republika e Serbisë, KA e Kosovës – Komuna Zubin- Potok) ka nxitur reagimin e kryetarit të Zubin- Potokut, Serxhan Vulloviq.

Vulloviqi, i njohur me deklaratat provokuese për shqiptarët dhe me deklaratat nxitëse ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës, ka porositur serbët që të mos bien pre e provokimeve të shqiptarëve dhe ka siguruar ata se shteti i Serbisë ka në dorë gjithë pjesën veriore të Kosovës, shkruan zeri.

“Serbët nuk do të bien pre e asnjë provokimi. Pa ose me tabela, kjo është Serbi”, ka përsëritur Vulloviqi, i cili në postin e të parit të Komunës së Zubin Potokut ka pasuar vëllain e tij Stevan Vulloviq, i cili kur pati dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Zubin Potokut me rekomandimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati deklaruar, se i vjen rëndë që ka bartur për më shumë se katër vjet turpin e të qenit kryetar i Zubin Potokut me sistemin kosovar të qeverisjes. Srxhan Vulloviqi është njëkohësisht edhe kryetar paralel i Zubin Potokut, i cili menaxhon me hidrocentralin e Ujmanit.