Kreu krime lufte në Kosovë, Blakaj: Lirimi i Pavkoviç është fyerje për viktimat

Lirimi i gjeneralit serb, Nebojsha Pavkoviç, i dënuar për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë vitit 1999 po vlerësohet fyerje e rëndë për viktimat e luftës. Në një intervistë për Ekonomia Online, Bekim Blakaj nga Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare e thekson edhe pritjen serbe si hero që ia bëri shteti serb.
Megjithkëtë, Blakaj nënvizioi edhe rastin e Vojislav Sheshel, për të cilin tha se ishte liruar përkohësisht e kurrë më nuk u kthye në Hagë ta mbajë dënimin.
“Gjenerali Pavkoviç i cili ishte dënuar me 22 vite burgim është liruar para kohe, mendoj që kjo në rend të parë është një fyerje për viktimat, e posaçërisht duke pasur parasysh që aktakuza ndaj tij është ngritur në vitin 2003 dhe dy vite ju kanë dashur Serbisë për me dorëzuar në Hagë, pra nuk është dorëzuar me kohë kur është dashur. Kjo është dashur që t’i shkojë në disfavor që ta lirojnë më herët pa marrë parasysh që arsyetimi ishte shëndeti i tij. Megjithatë Tribunali i Hagës duhet që të ketë parasysh edhe faktin se edhe Sheshel ishte liruar përkohësisht për shkak të shëndetit të tij të rënduar mirëpo pastaj kurrë nuk është kthyer në Hagë për ta mbajtur dënimin”, tha ai.
Edhe më shqetësuese, Blakaj thotë të jetë trajtimi që presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ia bëri Pavkoviçit e që kjo sipas tij dëshmon se Serbia nuk është shkëputur nga e kaluara kriminale e luftërave.
“Ndoshta më pak e dhimbshme është që është liruar dy vite para kohe sepse në fund të ditës pothuajse të gjitha gjykatat i lirojnë të padënuarit, respektivisht të dënuarit pa e përfunduar krejt dënimin. Por më e dhimbshme është mënyra se si e trajton Serbia, pra kreu i shtetit serb, Vuçiq i cili e ka dërguar edhe aeroplanin zyrtar të shtetit që ta marrë atje dhe e kishte ngritur në qiell duke lavdëruar gjeneralin Pavkoviç. Kjo është tepër e dhimbshme dhe kjo tregon në fakt se çfarë raporti ka shteti i Serbisë dhe zyrtarët e shtetit të Serbisë në lidhje me viktimat e luftës në Kosovë”, tha Blakaj për Ekonomia Online.
Ai theksoi se shteti serb vazhdon t’i mbrojë dhe glorifikojë kriminelët e luftës.
“Kjo tregon që shteti serb nuk e ka pasur një shkëputje nga e kaluara, gjithë ata që kanë kryer krime jo vetëm në Kosovë po edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci në emër të shtetit serb, në emër të popullit serb, janë ende nën mbrojtjen e shtetit dhe nën përkujdesjen e shtetit serb dhe kjo definitivisht është një shkelje e dinjitetit të viktimave të atyre kriminelëve. Nëse nuk ka mundur shteti serb që t’i dënojë edhe moralisht gjithë ata që kanë kryer krime të luftës në Kosovë edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, së paku do të ishte më e dinjitetshme po të heshtnin, pra të mos merreshin me ta edhe thjesht të mos i verifikojnë”, tha ai.
Blakaj kujtoi edhe rastet e tjera, si atë të gjeneralit Llazareviq, për të dëshmuar qëndrimin e pandryshuar të Serbisë ndaj kriminelëve të luftës.
“Është e qartë jo vetëm me këtë rast por edhe me raste të tjera, edhe gjeneralit Llazareviq i cili ishte dënuar për krime të kryera në Kosovë pas përfundimit të burgimit është pritur si hero, iu është dhënë mundësi që të ligjërojë në akademinë ushtarake në Serbi dhe kjo tregon edhe një herë se Serbia nuk është që ka ndërruar kurs nga e kaluara”, tha Blakaj.
Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë vendosi ta lirojë para kohe Pavkoviçin pas një kërkese të qeverisë së Serbisë për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore. Pavkoviç, ish-komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm, është dënuar për krime kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999.
Ai zbarkoi në Beograd me 28 Shtator 2025, ku me pas u nis nga Finlanda. Mediat serbe raportuan se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e kishte telefonuar gjeneralin përpara udhëtimit dhe i kishte uruar rrugë të mbarë, ndërsa në aeroportin e Beogradit u prit me aeroplan zyrtar të shtetit dhe u transportua me ambulancë në VMA.