75 Mall Live Search
23:10 / E Shtunë, 29 Qershor 2024 / MSH

Krijohet roboti që buzëqesh me qeliza të gjalla të lëkurës njerëzore

Mund të duket si makth, por ky robot i vogël i mbuluar me lëkurë të gjallë dhe që duket sikur buzëqesh, mund të shënojë një hap përpara në kërkimin për t’i bërë robotët më të ngjashëm me njerëzit.

Është punë e studiuesve në Japoni, të cilët thonë se kanë zbuluar një mënyrë të re për të lidhur indet e gjalla të lëkurës me një sipërfaqe mekanike robotike.

Takeuchi nuk është i vetëm në përpjekjet e tij për t’i bërë robotët më të ngjashëm me njerëzit. Ameca, i quajtur shpesh “roboti humanoid më i avancuar në botë”, përdor inteligjencën artificiale për të folur me njerëzit dhe për të reaguar ndaj përgjigjeve të tyre.

Hulumtimi, detajet e të cilit u publikuan në revistën Cell Reports Physical Science këtë muaj, është një zhvillim emocionues për fushën e robotikës, pasi krijimi i robotëve do të mbështetet tek imitimi i krijesave biologjike.

Lëkura, organi më i madh i trupit të njeriut, është jetik për perceptimin shqisor, ndjenjën e temperaturës, lagështisë dhe teksturave të objekteve. Ky lloj tipari në sistemet biologjike aktualisht është ende shumë i vështirë për t’u arritur me robotët. Robotët shpesh mbulohen me një material të bërë për t’i ngjasuar mishit, si silikoni.

Takeuchi dhe ekipi i tij shpresojnë të shtojnë më shumë funksione shqisore në fazën tjetër të kërkimit, “për ta bërë lëkurën më të përgjegjshme ndaj stimujve mjedisorë”. Megjithatë, sigurimi i qëndrueshmërisë dhe cilësisë së lëkurës së gjallë mund të mos jetë aq i lehtë.

Diçka e tillë “do të kishte nevojë për shumë punë në aspektin inxhinierik”, thotë Wang, por nëse ata e arrijnë këtë, kjo do t’u jepte humanoidëve aftësinë për t’u dukur dhe ndjerë si njerëz në të ardhmen.