Krijuesi i komedisë “Ugly Betty”, gjendet i vdekur në moshën 45-vjeçare

Krijuesi amerikan i hit-komedisë, Ugly Betty, raportohet se është gjetur i vdekur. Dyshohet për vetëvrasje.
Shkrimtari dhe producenti televiziv Silvio Horta u gjet pa vetëdije në një dhomë moteli në Miami – Florida të martën (7 janar), ku burime të Varietyt dhe të CNN-i pretendojnë se 45-vjeçari vdiq nga një plagë me armë zjarri që ia kishte bërë vetes.
Horta u bë i famshëm për adaptimin e telenovelës së popullarizuar kolumbiane “Yo soy Betty, la fea (I Am Betty, The Ugly One)” për audiencën anglisht-folëse, e cila e shndërroi aktoren kryesore America Ferrera në një yll.

Ai shërbeu si skenarist kryesor dhe producent ekzekutiv i Ugly Betty, seri kjo që u transmetua për katër sezone nga viti 2006 dhe i fitoi dy çmime “Golden Globe”, duke përfshirë atë për serialin më të mirë televiziv – komedi ose muzikor në vitin 2007.
Horta e bëri depërtimin e tij të madh pasi e shkroi skenarin për filmin horror të vitit 1998 Urban Legend, ku luan Jared Leto, ndërsa gjithashtu e shkroi vazhdimin, Urban Legends: Final Cut, dhe e krijoi serialin fanta-shkencor The Chronicle.
Para vdekjes së tij, ai kishte punuar në një projekt të ri, të titulluar “Move”, me Mary J. Blige, një seri kjo e frymëzuar nga jeta e koreografes së njohur Laurieann Gibson.