75 Mall Live Search
21:22 / E Mërkurë, 14 Qershor 2023 / mp

Krimet e Rënda, “zbarkojnë” në kompaninë ‘Pharma Leader’ pas dyshimeve për falsifikim të dokumentit në tenderin për insulina

Krimet e Rënda  zbarkojnë në kompaninë ‘Pharma Leader’ pas dyshimeve për falsifikim të dokumentit në tenderin për insulina

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia së bashku me Sekretarin e MSH-së Naim Bardiqi kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media gjatë ditës së djeshme, ku kanë njoftuar se kanë zbuluar dyshimet se një dokument i kompanisë “Pharma Leader” i dorëzuar në tenderin për insulina është fallso.

Ndërsa sot, Inspektorati Farmaceutik në kuadër të MSh-së, ushtroi inspektim në kompaninë “Pharma Leader”, për të cilën dje u konfirmua se në procedurën e furnizimit të tenderit për insulina, ka prezantuar një dokument që dyshohet të jetë i falsifikuar,

Njoftimi i plotë nga Ministria e Shëndetësisë:

Njoftim

Prishtinë, 14 qershor

Sot, Inspektorati Farmaceutik në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi që kishte indikacion të bazuar, ushtroi inspektim në kompaninë “Pharma Leader”, për të cilën dje u konfirmua se në procedurën e furnizimit të tenderit për insulina, ka prezantuar një dokument që dyshohet të jetë i falsifikuar.

Inspektimi është realizuar derisa organet e rendit, përkundër denoncimit publik, ende nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në raport me dyshimet për falsifikim të dokumentit.

Gjatë kontrollit në kompaninë “Pharma Leader”, Inspektorati Farmaceutik është asistuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.

Gjatë këtij inspektimi janë gjetur edhe disa pako të insulinave me afat të skaduar.

Gjithashtu, janë kontrolluar edhe dokumentacionet që ndërlidhen me rregullsinë e veprimtarisë së kësaj kompanie.

Ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë, me datë 13 qershor 2023, në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike, ka dorëzuar njoftimin për dyshimin e falsifikimit të dokumentit nga ana e kompanisë “Pharma Leader”.

Presim sa më parë nga Prokuroria që të ndërrmarrë të gjitha masat në funksion të zbatimit të ligjit lidhur me kryerjen potenciale të veprës penale – mashtrim në prokurim publik, falsifikim të dokumenteve me qëllim përfitimi dhe, mbi të gjitha, rrezikim potencial i shëndetit publik.

Ministria e Shëndetësisë do t’ju njoftojë me kohë për të gjitha hollësitë lidhur me këtë rast.

Inspektimet do të vijojnë për të mbrojtur shëndetin publik në mënyrë që qytetarët tanë të mos i ekspozohen ndaj këtyre rreziqeve.