Krimet ekonomike në aksion: Kontrollohen 15 biznese për shërbime ilegale me botoks
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, më saktë Njësinë për Hetimin e Falsifikimit të Parasë dhe Dokumenteve Zyrtare, Inspektoratin Shëndetësor dhe Inspektoratin e Tregut, sot është duke zhvilluar një aksion të gjerë.
Ky aksion po realizohet në zbatim të urdhrit për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, për kontrollin e 15 lokacioneve – bizneseve që të gjitha në Prishtinë dhe sekuestrimin e provave që dyshohet se kanë të bëjnë drejtpërdrejt me veprat penale në hetim, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare”, “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore” dhe “Tregti e ndaluar”.
Kjo për shkak të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm se këto biznese, në kundërshtim me Ligjin për produkte medicinale, kanë ofruar shërbime estetike duke përdorur produktin medicinal botoks edhe pse sipas ligjit, ofrimi i këtij shërbimi bëhet nga personeli i certifikuar.
“Po ashtu, bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se në Republikën e Kosovës, nuk ka operator ekonomik të licencuar për importin e këtij produkti medicinal dhe si i tillë, ky produkt mbi këto rrethana, trajtohet si ilegal.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, do të vazhdojë me përkushtim të plotë marrjen e masave ligjore ndaj çdo forme të veprimtarisë së kundërligjshme, me qëllim parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie negative në mbrojtje të interesit publik dhe shëndetit të qytetarëve” thuhet në njoftim të prokurorisë.

