Krimi dhe droga, debat për shqiptarët në parlamentin e Holandës
Një nga pikat kyçe të krijimit pozitiv apo negativ të imazhit të një vendi, jashtë këtij vendi, është edhe aktiviteti i emigrantëve. Mesa duket shqiptarët në Hollandë nuk kanë lënë përshtypje të mirë, madje po ndijkojnë negativisht edhe për pjesën tjetër të shqiptarëve.
Në Parlamentin holandez, ditën e enjte është zhvilluar një debat i ashpër ndërmjet deputetëve të partive ekstremiste të djathta dhe përfaqësuesve të qeverisë holandeze, ku kanë kërkuar rikthimin e vizave për Shqipërinë.
Deputetja e Partisë CDA në Holandë, Madeleine Van Toorenburg, ka folur gjatë në Kuvendin holandez, ku ka ngritur si shqetësim rritjen e kriminalitetit në Holandë që nga viti 2010, kur Shqipërisë iu hoqën vizat për të udhëtuar në BE.
Ajo kërkoi nga Parlamenti që të ushtrojë presion, që çështja e vizave më Shqipërinë të jetë pjesë e raportit të Komisionit Europian që do të dalë në fund të muajit.
“Kriminelët shqiptarë veprojnë nga apartamente mira në Roterdam, në mënyrë që të mos dalin jashtë. Prandaj, ky është një problem serioz. Që nga heqja e kërkesës për viza në vitin 2010, krimi i organizuar shqiptar është bërë shumë i madh dhe shumë i rrezikshëm në Europën Perëndimore. Vështrimi i ngadalshëm nuk është më opsion. Dhe le të mos injorojmë atë: dy ministra kanë shkuar në Shqipëri javët e kaluara për të folur për problemet. Pra, ata e njohin këtë problem, kjo është e qartë. Ne mendojmë se shumë shpejt duhet të ketë një kërkesë për rikthimin e vizave për shqiptarët, derisa Shqipëria t’i ketë punët e saj të rregulluara. Dhe sigurisht që jemi kuriozë për raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Unë e kuptoj se do të shfaqet në fund të majit. Por ne, ndërkohë, le të bëjmë çdo përpjekje për ta bërë atë efektiv në frenimin e emergjencës”, është shprehur deputetja holandeze.
Deputeti i Partisë tjetër, PVV, Sietse Fritsman, ishte më radikal në qëndrimin e tij.
“President, ne tani kemi të bëjmë me një mafie të re në Holandë dhe kjo është mafia shqiptare. Krimet e rënda, shumë dhunë, trafik droge në shkallë të gjerë, dominohen gjithnjë e më shumë nga bandat shqiptare. Dhe kjo valë e krimit nuk është rastësi. Siç thashë më parë, fatkeqësisht nuk është rasti që BE-ja po mëson nga gabimet, pasi pas kësaj vale kriminaliteti nga Shqipëria, tani do të ketë një përjashtim për viza për banorët e Kosovës”, është shprehur deputeti tjetër holandez.