Krimi mjedisor në Prevallë, ja çfarë thuhet nga ministria e Liburn Aliut

Prevalla është një nga zonat më të bukura të Kosovës. Por, bukuria e saj po zbehet çdo ditë e më shumë nga krimi mjedisor që po bëhet atje. Dikur e pyllëzuar, e gjelbëruar dhe e rrethuar nga bukuritë natyrore, tani Prevalla po betonizohet çdo ditë e më shumë.
Indeksonline ka qëndruar dje atje ku ka parë shkatërrimin që po i bëhet çdo ditë kësaj zone. Ndërtime pa leje, betonizim total, rrëshqitje të betonit e dheut dhe çfarëdo tjetër që shkatërron natyrën e mjedisin shihet në Prevallën piktoreske.

Indeksonline ka dërguar pyetje në Ministrinë e Ambientit që udhëhiqet nga Liburn Aliu.
Në përgjigjen e MMPHI-isë thuhet se inspektorati ka qenë në terren dhe ka inspektuar punimet dhe se për punimet që po bëhen ka leje përkatëse nga organi që vepron në kuadër të MMPHI-së.

“Inspektorati I Ndërtimit të MMPHI-së, ka qenë në terren dhe ka zhvilluar procedurat e mbikqyrjes inspektuese sipas kompetencave ligjore në fuqi. Pas inspektimit të lokacionit u konstatua se gjatë fillimit të punimeve ndërtimore për ndërtimin e objektit për turizëm fshatar, janë shkaktuar rrëshqitje të dheut dhe murit mbrojtës të parceles fqinje. Për punimet e filluara në ndërtimin e objekteve – villave në lokacionin e caktuar investitori është I pajisur me leje ndërtimore nga organi kompetent I MMPHI-së,.
Inspektorati I MMPHI-së në bazë të kompetncave ligjore ka urdhëruar investitorin që urgjentisht të merr masa për evitimin e rrezikut të mundshëm ndaj objekteve në parcelat fqinje. Për informin tuaj gjithashtu theksojm se në lokacion kanë qenë edhe Organet tjera përgjegjëse si Depertamenti i Emergjencave nga MPB –së si dhe Instituti për Gjeologji nga Ministrai e Ekonimisë por gjithashtu edhe policia e cila ka shirituar lokacionin e rrezikuar nga rrëshqitja” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Liburn Aliut, dhënë për Indeksonline.

Qeveria Kurti kishte qenë e zëshme në opozitë rreth temës së mbrojtjes së ambientit.
Partia e Albin Kurtit akuzonte partitë e dikurshme në pushtet se nuk po mbrojnë mjedisin dhe se kanë dhënë leje ndërtimi edhe aty ku kërcënohej ambienti.

Por, avazi i njëjt po vazhdon edhe në Qeverinë Kurti, kudo dhe kurdo!/Indeksonline/